Ministrat e Kosovës kanë nisur të nënshkruajnë marrëveshjet me Shqipërinë që ishin parashikuar të firmoseshin në mbledhjen e anuluar të dy qeverive që do të mbahej më 14 qershor.
Ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo që hodhi firmën e dytë në marrëveshjen e firmosur më herët nga homologu shqiptar për akordin mes dy vendeve për njohjen e së drejtës për ushtrimin e profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Më herët, gjatë ditës kryeministri Rama deklaroi se 13 marrëveshjet e firmosura nga pala shqiptare i ishin dërguar Ministrisë së Jashtme në Kosovë, si një përpjekje që u komentua si një tentativë për të plotësuar kushtin e Kurtit për të takuar kreun e qeverisë së Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do ta mbanin në Gjakovë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, por dy ditë para 14 qershorit, kryeministri Rama njoftoi anulimin e saj për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
Ishte kryeministri Kurti, që reagoi pas lajmit për ndalesën e Ramës në Kosovë në kuadër të turit ballkanik, për të cilin tha se do të takohej me kryeministrin e Shqipërisë vetëm pas mbajtjes së takimit mes dy qeverive që sipas tij kishin lënë marrëveshjet në sirtar.