Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje aleatëve t’i bashkohen një koalicioni për mbrojtjen e ujërave përreth Iranit dhe Jemenit.
Joseph Dunford, gjeneral i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të krijojnë një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat. Gjenerali i marinës, tha se iniciativa ka për qëllim që të sigurohet liria e lundrimit në rajone ku kalojnë disa prej rrugëve më të rëndësishme tregtare të botës.
Gjenerali Dunford shtoi se SHBA-ja është në bisedime me një numër vendesh të cilat kanë “vullnet politik” për të mbështetur këtë iniciativë, madhësia e së cilës varet nga numri i vendeve që do të vendosin të marrin pjesë.
Sipas pohimeve të tij, SHBA-ja do të sigurojë anije komanduese dhe kontrolluese, megjithatë, qëllimi do të ishte që vendet e tjera të ofrojnë anije për të ngritur patrullat afër dhe për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë.
Patrullimet do të fokusohen më së shumti në ngushticën e Hormuzit, lokacion strategjik detar pasi siguron qasje nga oqeani në Gjirin Persik dhe Detin e kuq. Pikërisht në këtë ngushticë u shënjestruan muajin që shkoi dy anije cisternë, episod ky për të cilin Amerika fajësoi Republikën Islamike, e cila nuk i pranoi akuzat.
Vetëm disa ditë pas incidentit të cisternave, forcat iraniane në Gjirin Persik rrëzuan një dron amerikan pa pilot me pretekstin se kishte shkelur hapësirën e tij ajrore. Nga ana tjetër SHBA-ja këmbëngul se droni po fluturonte në ujëra ndërkombëtare./Opinion.al