Bota

SHBA, përballje zgjedhore në disa shtete


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:03 - 23/06/20 |
Opi Nion

Në Shtetet e Bashkuara zhvillohen zgjedhje paraprake në tre shtete, përfshirë një garë mes demokratëve në shtetin e Kentakit për të përcaktuar kandidatin që do të përballet me udhëheqësin e shumicës së Senatit, republikanin Mitch McConnell në nëntor.

Një sfidë e ashpër dhe e rëndësishme për demokratët në kuadër të zgjedhjeve paraprake është përballja në Nju Jork e ligjvënësit prej disa mandatesh Eliot Engel.

Për sa i takon Kentakit, sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes ish-pilotes së marinës Amy McGrath, e cila humbi me një rezultat të ngushtë garën për një vend në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2018, dhe Charles Booker, një ligjvënës i këtij shteti prej 35 vitesh.

Zonja McGrath ka qenë favorite që në fillim të garës por zoti Booker, e ka ngushtuar hendekun së fundmi. Fituesi i sfitës së sotme do të përballet në nëntor me 78-vjeçarin Mitch McConnell.

Zoti McConnell është një mbështetës i vendosur i propozimeve legjislative të Presidentit Donald Trump si dhe kandidatëve konservatorë për në Gjykatën e Lartë që zoti Trump ka propozuar. Për më tepër, presidenti gëzon popullaritet në Kentaki, një shtet në të cilin ai fitoi me rreth 30 për qind më shumë në vitin 2016.

Një garë tjetër e rëndësishme është ajo e Nju Jorkut, ku 73-vjeçari Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve po përballet me rivalin demokrat Jamaal Bowman, 44 vjeçar, drejtor i një shkolle të mesme i cili nuk ka kandiduar kurrë më parë për një post publik.

Zoti Bowman në dallim nga zoti Engel mbështet më shumë politikat e majta, dhe shpreson të largojë nga detyra ligjvënësin demokrat prej 16 mandatesh. Zoti Engel ka mbështetjen e figurave kryesore të Uashingtonit, përfshirë zotin Schumer, kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi si dhe ish-sekretaren e Shtetit Hillary Clinton, e cila humbi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 përballë zotit Trump.

Por progresistët e Nju Jorkut mbështesin zotin Bowman, sikurse ligjvënësja Alexandria Ocasio-Cortez, e cila përmbysi garën në vitin 2018, duke fituar ndaj një ligjvënësi të njohur demokrat./ VOA

Pas