Në shtetin e Floridës është shpallur gjendja e emergjencës. Autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të grumbullojnë rezerva të mjaftueshme ushqimore për 1 javë, dhe të jenë gati për avakuimin e mundshëm, ndërsa uragani “Dorian” pritet të godasë vendin të hënën si stuhi e kategorisë së 4-t.
Sipas ekspertëve, stuhia pritet të jetë edhe më e fuqishme se uragani Endruj, që në vitin 1992 shkaktoi 65 viktima dhe dëme materiale rreth 30 miliardë dollarë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se “Dorian”, aktualisht i kategorisë së dytë, me erëra deri në 165 km në orë, por pritet të shndërrohet në uragan të madh të premten dhe do të mbetet “i rrezikshëm” përgjatë fundjavës pasi është duke thithur ujërat e ngrohta të Atlantikut.
“Po punojmë shumë fort lidhur me uraganin “Dorian”. Është vërtet interesante pasi fillimisht u duk si një stuhi e vogël. Patëm të gjithë fat, nuk e goditi Puerto Rikon. Preku Ishujt Virxhinia jo aq sa mendohej, por fitoi forcë në rrugën drejt Floridës, duke u shndërruar në një përbindësh. Ne jemi gati, megjithatë bëni kujdes”, tha Presidenti Trump, i cili anuloi udhëtimin e planifikuar në Poloni për të vëzhguar nga afër situatën./Opinion.al