Pak ditë pasi Koreja e Veriut kreu teste të reja raketore, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Stephen Biegun, i bëri thirrje që të ulet në tryezë, për të diskutuar rreth çarmatimit bërthamor.
“Është koha ta bëjmë punën tonë. Le ta kryejmë. Ne jemi këtu dhe ju e dini se si mund të na kontaktoni”, tha Biegun.
Biegun tha se deklaratat e Phenjanit janë “armiqësore, negative dhe të panevojshme” dhe shtoi se SHBA-ja ka një synim, jo një afat, referuar faktit që Koreja e Veriut i ka dhënë kohë SHBA-së deri për Krishtlindje që të lehtësojë sanksionet.
Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se nuk do t’i heqë sanksionet derisa Koreja e Veriut nuk do të braktisë plotësisht programin e saj bërthamor.
Trump dhe homologu i tij, Kim Jong-un, u takuan në Singapor në qershor të vitit 2018 dhe në Vietnam në fillim të këtij viti, për të biseduar rreth çarmatosjes bërthamore të Gadishullit Korean.
Ata po ashtu u takuan në Zonën e Demilitarizuar, që ndan Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, në qershor, por bisedimet nuk sollën asnjë marrëveshje./Opinion.al