Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për gazetën e Kosovës “Koha Ditore” ka deklaruar se termi “korrigjim i kufijve” nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, ndërsa ata që përdorin këta terma ai i ka etiketuar si “sharlatanë me harta”.
“Unë nuk e kuptoj çfarë do të thotë fjala korrigjim i kufijve. Jam lodhur dhe nuk kam gjetur asnjë përkufizim në të drejtën ndërkombëtare, sepse nuk ekziston. Pra, në të drejtën ndërkombëtare flitet për procesin e delimitimit, që është procesi i përcaktimit të kufirit”, ka thënë Ditmir Bushati për “Koha Ditore”.
Për ish-ministrin e Jashtëm të Shqipërisë kjo është një çështje delikate, vendimtare dhe përcaktuese për fatin e Ballkanit Perëndimor. Për Bushatin, faktori politik në Kosovë ka qenë i përçarë më shumë se kurrë dhe ai ka thënë se këtë gjë nuk mund ta riparojë Tirana zyrtare./Opinion.al