Largimi i Besa Shahinit nga posti i ministres së Arsimit u shoqërua me aludimet se ajo ishte shkarkuar pavarësisht se ajo vetë sqaroi se do të largohej në Kosovë për t’i qëndruar pranë familjes.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i pyetur nëse ministrja dha dorëheqjen apo u shkarkua, nuk dha një përgjigje konkrete.
Në një intervistë për News 24, Balla tha se kjo nuk është me rëndësi nëse Shahini u shkarkua apo dha dorëheqjen.
“Ajo që është e rëndësishme që të themi për publikun është se cikli për reformën në ministrinë e Arsimit do të vazhdojë. Implementimi i reformave do të vijojë me një hov të ri dhe efektiv me ministren e re, zonjën Kushi. Ajo që është më rëndësi është se ne e kaluam testin e djeshëm, atë të ditës së parë të shkollës. Po ndiqja dje në darkë për disa vende fqinje, dhe problematikat e hasura, në vendet si Italia ishin. Duhet të kemi fokusin, dhe zonja Kushi, ka rol të rëndësishëm, për fillimin e vitit të ri akademik. Pasi dhe ai është me rëndësi. Kryeministri Rama ka ditur gjithmonë që të krijojë një shpirt ekipi brenda ministrave. Unë mendoj se kjo pak rëndësi ka. Besa do të vazhdojë të ruaj një komunikim të përditshëm me Evisin, për të bërë këtë stafetën e domosdoshme për javët në vijim.”. /Opinion.al