Mbrëmjen e nesërme, Kombëtarja Shqiptare do të zbres sërish në fushën e blertë ku do të përballet me Letoninë, ndeshje kjo për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Në konferencë për shtyp para ndeshjes, Kristjan Asllani u shpreh se i pret një ndeshje shumë e vështirë, pasi Letonia ka një trajner italian. Por pavarësisht kësaj futbollisti i Kombëtares u shpreh optimist për fitoren e sfidës.
“Duhen rikarikuar bateritë se vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Luajtëm shumë mirë, mungoi goli. E dimë që kemi ndeshje këtu të vështirë sigurisht, por na duhen tre pikë për gjërat që kemi në mendjen tonë dhe ëndrrën tonë.
Që kur ka ardhur trajneri besoj se i kam luajtur të gjitha ndeshjet, tani besoj se unë duhet të vendos veten mënjanë se duhet të mendoj për skuadrën. Kemi një ndeshje të vështirë, kanë trajner italian, i njoh shumë mirë italianët si punojnë, do të jetë një ndeshje taktike se punojnë shumë në këtë aspekt. Mbrojnë shumë.
Tani nuk mendoj për Asllanin por për skuadrën dhe kemi ardhur këtu për të fituar këtë ndeshje”, tha ndër të tjera Asllani.