Kuvendi i rikthehet punimeve në fillim të kësaj jave. Pasditen e së henës deputetët do të mblidhen në seancën plenare që çel sesionin e ri.
Në rend dite në seancën e orës 17 është çelja e sesionit të ri të punimeve, njoftimi i projektligjeve e nismave të depozituara në Kuvend dhe miratimi i kalendarit trejavor të punimeve.
Nisja e këtij sesioni vjen më herët se vitet e mëparshme, kjo edhe për vetë faktin se nga sesioni i mëparshëm janë trashëguar një serë nismash të rëndësishme që bëjnë të zbatueshme Reformën në Drejtësi.
Nga 7 nismat ligjore që bëjnë të zbatueshme reformën, vetëm ligji i “vetting-ut” është i miratuar deri më tani. Ndërkohë, mbeten për t’u miratuar edhe projektligjet për organizimin e prokurorisë e gjykatave, projektligji për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve etj.
Në këtë sesion të ri, vëmendja pritet të përqëndrohet edhe tek ekonomia për faktin se Kuvendi do të duhet të shqyrtojë në javët e muajt e ardhshme buxhetin faktik të vitit të mëparshëm si dhe projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.