Kjo është një shpikje e disa shkencëtarëve të vegjël në Lushnje.
Është një serrë inteligjente e krijuar nga 5 fëmijë vetëm 11 vjeç.
Temperatura dhe niveli i lagështirës maten në mënyrë të automatizuar. Nxënësve ideja iu erdhi pasi ata vizituan një serrë diellore dhe panë aty elementët që mungonin.
“Kjo është ide e një serre inteligjente që bëmë ne për të ndihmuar fermerët sepse ne shkuam vetë në një serrë të vërtetë dhe pamë gjërat që mungonin aty, kështu që i realizuam me anë të teknologjisë. Neve na lindi kjo ide duke vajtur në serrë dhe pamë që nuk kishte kushte dhe menduam që ta bënim vetë”, shprehen nxënëset.
Njëra prej nxënësve na tregon edhe mënyrë sesi serra inteligjente funksionon.
“Kur serra ka nevojë për temperaturë, sensori i lagështirës data 22 mat temperaturën e serrës dhe nëse temperatura e serrës është mbi 40 gradë, atëherë sensori i temperaturës të aktivizojë pompën e ujit që serra do të ujitet”, tha nxënësja.
Për krijimin e saj, fëmijëve u është dashur një kohë e shkurtër.
“Për të ndërtuar këtë serrë na është dashur 1 deri në 2 javë dhe ne kemi përdorur microbic, 2 pllaka microbic, 2 rele, 2 bateri, edhe ventilatorin dhe sistemin e lagështisë”, tha nxënësi.
Këta fëmijë janë nxënës të shkollës Skënder Libohova në Lushnjë. Ata arritën të merrnin çmimin e parë në garën e shkollave të shekullit të 21 në Shqipëri. Ky vlerësim për drejtorin e shkollës është i rëndësishëm për t’i nxitur fëmijët që të përdorin elementët e rëndësishëm të teknologjisë.
“Ne nuk do rreshtim së konkurrurari dhe në vitet e tjera dhe në arsimin e mesëm të ulët dhe në arsimin fillor. Besoj se kemi edhe një projekt tjetër, meqënëse është projekti toka jonë, dhe nëpërmjet kësaj sere ne mendojmë që të krijojmë një baçe të vogël në mënyrë që të mësojmë dhe fëmijët si të mbjellin në jetën reale”, është shprehur drejtori i shkollës Ornel Shuka.
Në garën që u zhvillua në Tiranë me organizimin edhe të Ministrisë së Arsimit morën pjesë nxënës të 10 shkollave më të mira në vendin tonë.
Klan News