Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Serbi: Rritet numri i aktakuzave ndaj shqiptarëve të Kosovës

2025/06/16 at 6:28 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Serbi: Rritet numri i aktakuzave ndaj shqiptarëve të Kosovës

Ndryshe nga vitet e mëparshme, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka rritur ndjeshëm numrin e aktakuzave gjatë vitit 2024.


Shumica e tyre janë ngritur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), ky është rezultat i presionit politik nga autoritetet dhe mediat proqeveritare në Serbi.

Ndonëse Serbia vazhdoi me arrestimin e shtetasve të Kosovës në pikat kufitare edhe në vitin 2024 , shumica e aktakuzave janë ngritur ndaj personave që nuk janë të arritshëm për sistemin gjyqësor serb.

Sipas Fondit, në vend të përmirësimit të bashkëpunimit me Kosovën, po vihet në praktikë gjykimi në mungesë.

Viti 2024 u karakterizua, gjithashtu, nga mungesa e bashkëpunimit me vendet fqinje, zvarritja e gjykimeve për krimet e luftës të viteve ’90, dënimet joproporcionale për të dënuarit, si dhe mosndjekja penale e pjesëtarëve të lartë të forcave serbe.

Përgjatë këtij viti vazhdoi glorifikimi publik i kriminelëve të dënuar të luftës dhe u lansua një fushatë shtetërore për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Kushtet në të cilat zhvillohen gjykimet për krime lufte në Serbi janë shumë të pafavorshme. Edhe në vitin 2024 vazhdoi atmosfera e një politike revizioniste të kujtesës”, tha Jovana Kollariq nga Fondi për të Drejtën Humanitare gjatë prezantimit të raportit.

Prokuroria për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me raportin e ri të kësaj organizate joqeveritare, e cila monitoron të gjitha gjykimet për krime lufte në Serbi.

Sa aktakuza janë ngritur?

Gjatë vitit 2024, Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka ngritur tetë aktakuza ndaj 10 personave.

Njëra prej tyre është transferuar nga Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës, ndërsa shtatë janë ngritur kundër shqiptarëve të Kosovës për krime të kryera ndaj popullatës serbe në fund të viteve ’90.

Gjashtë nga të akuzuarit nuk janë në dispozicion të drejtësisë serbe dhe do të gjykohen në mungesë.

“Pa shkëmbim institucional të provave dhe informacioneve mes Serbisë dhe Kosovës, do të vazhdojë ngritja e aktakuzave të dobëta që do të jetë e vështirë të vërtetohen”, tha Mirjana Peshiq nga FDH-ja.

Ajo shtoi se një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Kosovë, ku Prokuroria Speciale gjatë vitit 2024 ka ngritur gjashtë aktakuza ndaj 11 pjesëtarëve të forcave serbe për gjykime në mungesë.

Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në vitin 2013, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, që parasheh shkëmbimin e kërkesave gjyqësore mes dy vendeve.

Megjithatë, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast që ka të bëjë me krimet e luftës.

Sa vendime gjyqësore janë shqiptuar?

Gjykata e Lartë në Beograd dënoi në shkurt të vitit 2024 Tefik Mustafën me një vit burg për “organizim dhe nxitje për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës”.

Mustafa ishte arrestuar në qershor 2024 në pikën kufitare në Merdar, ndërsa Prokuroria e akuzoi se kishte marrë pjesë në qershorin e vitit 1999, së bashku me rreth dhjetë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në rrëmbimin e tre civilëve pranë fshatit Llabjan.

“Sipas aktgjykimit, gjykata, pa prova të mjaftueshme, pranoi pretendimin e aktakuzës se grupi konkret i UÇK-së ishte i organizuar për kryerjen e veprave penale. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata nuk e arsyetoi para publikut pse e kishte hedhur poshtë në tërësi mbrojtjen e të akuzuarit”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) pas shpalljes së dënimit.

Gjykimi ndaj Mustafës përfundoi në mënyrë të përshpejtuar, për vetëm dy ditë.

“Një proces i tillë nuk ndihmon në zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së civilëve dhe as në arritjen e drejtësisë, por vetëm sa e minon më tej besimin e viktimave në institucionet”, theksoi FDH.

Ky ishte vetëm një nga një sërë arrestimesh të shqiptarëve të Kosovës në Serbi.

Hasan Dakaj, i arrestuar në janar 2024, u lirua pas një viti, pasi arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë për një aktakuzë që e ngarkonte me krime kundër popullatës civile.

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj, u dënua në dhjetor të vitit 2024 me gjashtë vjet burg për të njëjtën vepër. Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe pesë vjet më parë dhe ka qëndruar gjithë kohën në paraburgim.

“Fakti që pjesa më e madhe e aktakuzës nuk u vërtetua, ndërsa i akuzuari u dënua vetëm për një pikë, krijon përshtypjen se aktakuza nuk ishte e bazuar në prova të forta, por u udhëhoq nga kërkesa politike”, thuhet në raportin e FDH-së.

Përveç vendimit ndaj Mehmetajt, Gjykata e Lartë në Beograd gjatë vitit 2024 ka bërë publike edhe tre aktgjykime të shkallës së parë për krime gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, si dhe dy vendime në procedura të përsëritura.

Në prill 2024, shtatë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (UPJ) u dënuan me gjithsej 56 vjet burg për masakrën ndaj shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lubeniq, më 1999.

“Edhe pse aktakuza, përmes ndryshimeve e plotësimeve, përfshinte krime të shumta të kryera nga të akuzuarit, vendimi e ngushtoi ndjeshëm përgjegjësinë penale dhe reduktoi në mënyrë drastike numrin e viktimave”, thuhet në raportin e FDH-së.

Sipas të njëjtit raport, pjesëtarët e UPJ-së u dënuan vetëm për vrasjen e 57 civilëve në Qyshk, ndërsa për vrasjen e 42 civilëve në Lubeniq dhe 17 në Zahaq – krime të dokumentuara edhe nga Gjykata e Hagës – askush nuk u shpall fajtor.

FDH vlerëson se dënimet për shumicën e të akuzuarve ishin joproporcionale dhe disa madje më të ulëta se minimumi i paraparë me ligj.

“Shumë nga provat e paraqitura gjatë procesit zbuluan se përgjegjësia për këto krime nuk mbaron tek ekzekutorët e drejtpërdrejtë, por përfshin edhe zinxhirin komandues të Ushtrisë së Jugosllavisë, i cili nuk është përfshirë fare në aktakuzë”, thekson raporti.

Gjykimi për këtë rast zgjati 14 vjet. Aktgjykimi i parë u shpall në vitin 2014, por një vit më vonë u anulua nga Gjykata e Apelit e Serbisë.

Gjyqet që zgjasin pafund

Një nga shembujt më të qartë të zvarritjes së proceseve gjyqësore është rasti për rrëmbimin dhe vrasjen e udhëtarëve nga treni në fshatin Shtërpci në Bosnje e Hercegovinë më 1993, ku aktakuza kundër pjesëtarëve të njësisë “Hakmarrësit” u konfirmua vetëm në vitin 2018.

Procesi gjyqësor nisi në janar 2019, por Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë në nëntor 2023 dhe lënda u kthye për rigjykim.

“Ky është një shembull drastik i mosveprimit dhe mungesës së efikasitetit të gjyqësorit, që tregon se sa shumë institucionet e drejtësisë kontribuojnë në vonesat gjyqësore dhe mohimin e drejtësisë për viktimat”, thuhet në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), duke shtuar se dy nga të akuzuarit kanë vdekur ndërkohë.

Edhe gjykimi për vrasjen e 1.313 civilëve boshnjakë në Kravicë pranë Srebrenicës, i cili ka nisur në fund të vitit 2016, ende vazhdon në fazën e administrimit të provave pas më shumë se tetë vjetësh.

Prokuroria në Serbi ka ngritur aktakuzë ndaj tetë pjesëtarëve të Brigadës Speciale të Policisë së Republikës Sërpska për krime lufte kundër popullatës civile, ndonëse gjykatat në Bosnje dhe në Hagë për të njëjtat vepra kanë dhënë dënime për gjenocid ose krime kundër njerëzimit.

“Prokuroria, në mënyrë të pasinqertë, e fsheh faktin se ndjekja penale për gjenocid është politikisht e papranueshme në Serbi, sepse përfaqësuesit më të lartë shtetërorë nuk e njohin vendimin se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid”, thekson raporti i FDH-së.

Të gjithë të akuzuarit në këtë rast mbrohen në liri. Gjatë vitit 2024, për shkak të mungesës së tyre, nuk janë mbajtur 15 seanca gjyqësore.

“Arsyetimi për gjendje të keqe shëndetësore është shndërruar në mjet për zvarritje të qëllimshme të proceseve dhe për të arritur shpalljen e paaftësisë procedurale të të akuzuarve”, thotë FDH.

Në raport përmendet se që në vitin 2010, FDH-ja ka dorëzuar kallëzim penal kundër disa pjesëtarëve të lartë të ushtrisë së Republikës Sërpska për dyshim të pjesëmarrjes në gjenocid në Srebrenicë, por deri në fund të vitit 2024, Prokuroria serbe nuk ka nisur asnjë hetim.

Nuk është zbatuar as aktgjykimi i Gjykatës së Bosnjës nga viti 2014, me të cilin Novak Gjukiq ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen e mbi 70 personave në portin e Tuzllës. Ish-gjenerali i ushtrisë së Republikës Sërpska kishte ikur në Beograd para shpalljes së vendimit dhe jeton atje i lirë.

A ka bashkëpunim rajonal?

Pavarësisht ekzistencës së Protokollit për bashkëpunim në ndjekjen e kryerësve të krimeve të luftës, Prokuroria në Serbi refuzon t’ua dorëzojë rastet autoriteteve të drejtësisë në Bosnje.

Një shembull është ai i Miomir Jasikovacit, ish-komandant i njësisë së policisë ushtarake të Brigadës së Zvornikut të ushtrisë së RS-së, i cili u akuzua në Serbi për krime lufte vetëm disa ditë pasi Prokuroria e Bosnjës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për gjenocid në Srebrenicë.

Prokuroria serbe e zvogëloi ndjeshëm numrin e viktimave dhe arriti marrëveshje me të akuzuarin për pranimin e fajësisë, duke e dënuar me një dënim minimal prej pesë vitesh burg.

Deri më tani, drejtësisë së Bosnjës i është dorëzuar vetëm një rast – ai i Edin Vranjit, shtetas i Bosnjës, i cili u arrestua në shtator 2021 në kufi mes Serbisë dhe Bosnjës nën dyshimin për krime lufte. Ai u lirua nga paraburgimi pas një muaji.

“Edhe në këtë rast, dorëzimi ndodhi vetëm pas ndërhyrjes politike të presidentit të Serbisë”, thuhet në raportin e FDH-së.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit prej kur Gjykata e Hagës ia transferoi Serbisë gjykimin ndaj liderit të Partisë Radikale Serbe për mosrespektim të Tribunalit, procesi në Beograd ende nuk ka nisur.

Vojisllav Sheshel, sikurse shumë kriminelë të dënuar të luftës, shfaqet rregullisht në televizionet proqeveritare me frekuencë kombëtare, në rolin e analistit.

“Për shkak të miratimit të Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, përfaqësuesit e pushtetit në Serbi, mediat shtetërore dhe tabloidët udhëhoqën një fushatë të ashpër kundër shpalljes së 11 korrikut si Dita Ndërkombëtare e Kujtimit të Gjenocidit”, kujtoi Jovana Kollariq nga FDH.

Ajo shtoi se përfaqësuesit e shoqërisë civile që u bënë thirrje institucioneve të votojnë pro Rezolutës dhe të njohin gjenocidin, u sulmuan si “tradhtarë” nga politikanët dhe mediat proqeveritare.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin më të fundit për progresin e Serbisë, ka paralajmëruar se “një numër politikanësh dhe mediash, pa asnjë pasojë, vazhdojnë t’i mohojnë krimet e luftës dhe gjenocidin, si dhe t’u ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike kriminelëve të dënuar të luftës”.

Komisioni përfundon se Serbia ende nuk ka dëshmuar përkushtim të vërtetë për hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës./REL



Ju sugjerojmë

U lirua me kusht, Berisha: Salianji do të vijojë të ketë rol aktiv në PD!
Aktualitet

U lirua me kusht, Berisha: Salianji do të vijojë të ketë rol aktiv në PD!

8 Korrik, 2025 1:25 pm
Denoncimi i Berishës: Metës po i bëhet terror psikologjik në burg. S’i kanë lejuar..
Aktualitet

Denoncimi i Berishës: Metës po i bëhet terror psikologjik në burg. S’i kanë lejuar..

8 Korrik, 2025 1:16 pm
Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë
Aktualitet

Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë

8 Korrik, 2025 1:08 pm
Lirimi i Salianjit/Berisha:Dënim politik,vuajti 9 muaj në burg jashtë çdo lloj ligji
Aktualitet

Lirimi i Salianjit/Berisha:Dënim politik,vuajti 9 muaj në burg jashtë çdo lloj ligji

8 Korrik, 2025 12:50 pm
Lirohet me kusht Salianji/Avokati: Element minimal drejtësie, ishte dënim politik!
Aktualitet

Lirohet me kusht Salianji/Avokati: Element minimal drejtësie, ishte dënim politik!

8 Korrik, 2025 12:44 pm
9 vatra zjarri në 24 orët e fundit, në 4 qarqe vijon niveli i lartë i rrezikut
Aktualitet

Situata e zjarreve/Ministria e Mbrojtjes: 25 vatra në 24 orë, 4 janë ende aktive

8 Korrik, 2025 12:31 pm
Deklarata e parë pas lirimit, Salianji: Në orën 17:00 në konferencë në selinë e PD
Aktualitet

Deklarata e parë pas lirimit, Salianji: Në orën 17:00 në konferencë në selinë e PD

8 Korrik, 2025 12:18 pm
FOTO/Kërkon lirimin me kusht, Ervin Salianji mbërrin në Gjykatën e Fierit
Aktualitet

Gjykata e Fierit merr vendimin, lirohet nga qelia Ervin Salianji

8 Korrik, 2025 12:13 pm
Djegia nga dielli, dermatologia tregon se çfarë duhet të bëni për kujdesin e lëkurës
-Shëndeti

Djegia nga dielli, dermatologia tregon se çfarë duhet të bëni për kujdesin e lëkurës

8 Korrik, 2025 12:08 pm
Egnatia gati për Evropën/ Tetova: Nuk ka ekip modest në Champions, duam kualifikimin
Sport

Egnatia gati për Evropën/ Tetova: Nuk ka ekip modest në Champions, duam kualifikimin

8 Korrik, 2025 12:05 pm
Para
Inaugurimi i Donald Trump zhvendoset në ambiente të mbyllura, arsyeja

Trump: Irani u kujtua vonë për bisedime

Ulen të punësuarit në industrinë nxjerrëse dhe përpunimit, por shtohen tek ndërtimi!

Ulen të punësuarit në industrinë nxjerrëse dhe përpunimit, por shtohen tek ndërtimi!

Tjetër medalje për Kosovën në Botërorin e Xhudos

Tjetër medalje për Kosovën në Botërorin e Xhudos
















TE FUNDIT

U lirua me kusht, Berisha: Salianji do të vijojë të ketë rol aktiv në PD!

U lirua me kusht, Berisha: Salianji do të vijojë të ketë rol aktiv në PD!
8 Korrik, 2025

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar rolin që pritet të ketë në PD ish-deputeti Ervin Salianji, i cili...

Lexo më shumë

Denoncimi i Berishës: Metës po i bëhet terror psikologjik në burg. S’i kanë lejuar..

Denoncimi i Berishës: Metës po i bëhet terror psikologjik në burg. S’i kanë lejuar..
8 Korrik, 2025

Kreu i PD, Sali Berisha në një konferencë për mediat deklaroi se Ilir Metës po i bëhet terror psikologjik në...

Lexo më shumë

Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë

Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë
8 Korrik, 2025

Ditën e sotme është hapur zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë. Në ceremoni morën pjesë Ministri për Evropën...

Lexo më shumë

Lirimi i Salianjit/Berisha:Dënim politik,vuajti 9 muaj në burg jashtë çdo lloj ligji

Lirimi i Salianjit/Berisha:Dënim politik,vuajti 9 muaj në burg jashtë çdo lloj ligji
8 Korrik, 2025

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha po mban një konferencë për mediat pas lënies së lirë të Ervin Salianjit. Kryedemokrati...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com