Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës

2022/11/05 at 1:41 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Serbët vendosin të largohen nga institucionet e Kosovës

Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës. Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.


Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç pas takimit.

Në këtë takim – me dyer të mbyllura – kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.

Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.

Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiç, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.

Njëjtë kanë vepruar edhe kryetarët e komunave, të gjyqësorit dhe policisë.

Rakiq ka thënë se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Zhvillimet në Serbi
Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.

Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.

Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiç ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.

Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Në ditë më parë, Vuçië është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vetë Lajçak ka thënë më 5 nëntor se takimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.

Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Plani për targat
Qeveria e Kosovës ka nisur nga 1 nëntori që të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat janë të paligjshme në Kosovë, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.
Megjithatë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, që janë pjesë e rajonit të veriut, kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë vendimin.

Një ditë pas një deklarimi të tillë të Nenad Gjuriçit, ai është suspenduar nga detyra.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim, sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë Gjuriç.

Çfarë kanë deklaruar përfaqësuesit e Listës Serbe?
Më 3 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, – i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës – paralajmëroi largimin nga institucionet e Kosovës.

“Duke filluar nga unë personalisht, por edhe punëtorët në vetëqeverisjen lokale, prokurori, gjykata polici dhe në të gjitha institucionet e tjera”.

Ai shtoi se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.
Më 2 nëntor, Igor Simiq nga Lista Serbe deklaroi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk dëshirojnë të riregjistrojnë makinat në RKS dhe përsëriti se shqiptimi i gjobës së parë do të pasohet “me përgjigje dhe rezistencë të fortë, me të gjitha mjetet demokratike”.

Igor Simiq është deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.

Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se refuzimi për të zbatuar vendimin legjitim të institucioneve të Kosovës paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, shkroi Sveçla në Facebook pas suspendimit të Gjuriçit.

Më 1 nëntor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se përmes deklaratave, Lista Serbe po tregon se në radhë të parë nuk ka pasur problem me targat.

“Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat [lehtësimet] tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha ai.

Çfarë parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat?

Përderisa Serbia dhe përfaqësuesit serbë po e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës dhe kanë bërë thirrje për rezistencë, në Kosovë kanë thënë se vendimet e saj për targat janë legjitime.

Më 28 tetor, Qeveria e Kosovës shpalosi planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës) është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë do të qortohen shoferët që kanë makina me targa serbe, në të dytën do të paguajnë gjobë prej 150 eurosh, ndërkaq faza e tretë parasheh përdorimin e targave provuese.

Qeveria ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të përdoren vetëm targat RKS.

Ky vendim i Kosovës vjen pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që Prishtina të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit. Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë shprehur “zhgënjim” me mosshtyrjen e afatit për targat.
Qeveria e Kosovës ka argumentuar se kishte bërë një shtyrje të zbatimit të vendimit të targave, që fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht dhe ishte shtyrë për periudhën 1 shtator-31 tetor.

Incidente në veri për shkak të targave

Në javët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, të cilët i kishin regjistruar ato në targa RKS.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se këto raste paraqesin “frikësim” për qytetarët që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

Më 3 nëntor, Policia e Kosovës raportoi për të shtëna me armë zjarri në stacionin policor kufitar në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe.
Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor, Borrell përmes një postimi në Twitter kërkoi nga të gjitha palët që të përmbahen dhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.

Zyrtarët në Serbi, e as zyrtarët serbë në Kosovë nuk kanë komentuar për djegien e makinave dhe dëmtimin e pronës së serbëve që po riregjistrojnë makinat e tyre.

Po ashtu, ditëve të fundit, Serbia ka rritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, teksa ka pretenduar se dronë nga Kosova kanë “vëzhguar” objektet ushtarake të Serbisë. Kosova ka mohuar se fluturake nga territori i saj kanë hyrë në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ndërkaq ka deklaruar se vëzhgimi i ndërtesave ushtarake me dronë është “një lloj agresioni”.

Çfarë parasheh Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel?

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, më 2011 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Sipas kësaj marrëveshjeje, makinat me targa serbe me akronime për qytetet e Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovica e Kosovës) e të ngjashme, duhej të riregjistroheshin në RKS (Republika e Kosovës) apo në targat me status neutral KS (Kosovë).

Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët serbë kanë qarkulluar me targa të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Atëbotë qytetarët e Kosovës nuk mund të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS, por duhej të pajiseshin me targa provuese, andaj Kosova u pajtua që të lëshonte targa KS edhe për pesë vjet të tjera, marrëveshje të cilën Serbia e pranoi.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e vitit 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016.

Vlefshmëria e këtyre targave me status neutral skadoi më 15 shtator të vitit 2021.

Zyrtarët serbë së fundmi sërish kanë kërkuar që targat KS të rikthehen në përdorim, por kjo kërkesë është refuzuar nga autoritetet në Kosovë./REL

 

 

 



Ju sugjerojmë

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend
Kryesore

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend

20 Maj, 2025 9:04 pm
Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi
Bota

Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi

20 Maj, 2025 8:42 pm
Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika
Bota

Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika

20 Maj, 2025 8:38 pm
1/3 e automjeteve ngel në kolaudim
Aktualitet

1/3 e automjeteve ngel në kolaudim

20 Maj, 2025 8:24 pm
Kallas javën e ardhshme viziton Ballkanin Perëndimor
Bota

BE-ja heqë sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

20 Maj, 2025 8:18 pm
Rama intervistë për televizionin austriak: Anëtarësimi në BE, mundësi historike!
Politikë

Rama intervistë për televizionin austriak: Anëtarësimi në BE, mundësi historike!

20 Maj, 2025 8:08 pm
Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në Egje
Aktualitet

Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në Egje

20 Maj, 2025 8:07 pm
Gjykata në Novi Sad urdhëron arrest shtëpiak për 3 nga 6 aktivistët e burgosur
Rajoni

Gjykata në Novi Sad urdhëron arrest shtëpiak për 3 nga 6 aktivistët e burgosur

20 Maj, 2025 7:42 pm
VIDEO/ Kaos në Giro d’Italia, qytetari futet mes çiklistëve për të penguar garën
Sport

VIDEO/ Kaos në Giro d’Italia, qytetari futet mes çiklistëve për të penguar garën

20 Maj, 2025 7:35 pm
Pr. Rezoluta anti-korrupsion, Meta: Ky regjim do një të shtyrë për të rënë në greminë dhe ne s’do ja kursejmë
Kryesore

11 Maji, Meta: Të analizohet rezultati i zgjedhjeve në çdo Qendër Votimi në Tiranë

20 Maj, 2025 7:25 pm
Para
Rama sulmon PD: Mori gjysmë milioni dollarë nga Rusia për të rrëzuar qeverinë

Rama sulmon PD: Mori gjysmë milioni dollarë nga Rusia për të rrëzuar qeverinë

“Do shtrojmë çdo rrugicë të Tiranës”, Veliaj: Më 13 nëntor përfundon gara për kompanitë

"Do shtrojmë çdo rrugicë të Tiranës", Veliaj: Më 13 nëntor përfundon gara për kompanitë

“E mërzita,donte të hiqte dorë”, Grishaj flet për rolin e Tinka Kurtit te filmi “Sofia”

“E mërzita,donte të hiqte dorë”, Grishaj flet për rolin e Tinka Kurtit te filmi "Sofia"
















TE FUNDIT

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend
20 Maj, 2025

Marrëveshja dypalëshe e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë do tu japi mundësinë qytetarëve shqiptarë, por edhe italianë që të bashkojnë...

Lexo më shumë

Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi

Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi
20 Maj, 2025

Shtetet e Bashkuara u kanë kontaktuar disa vendeve për t’i nxitur ato të pranojnë zhvendosjen “vullnetare” të palestinezëve që ikin...

Lexo më shumë

Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika

Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika
20 Maj, 2025

Në qendër të Bielefeldit, një person plagosi disa persona me thikë në orët e para të mëngjesit të së dielës...

Lexo më shumë

1/3 e automjeteve ngel në kolaudim

1/3 e automjeteve ngel në kolaudim
20 Maj, 2025

Teksa automjetet në rrugët e Shqipërisë po shtohen me ritme të shpejta, shumë pak prej tyre, edhe pse me moshë...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com