Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Serbët në Kosovë akuzojnë njëri-tjetrin për blerje votash

2025/02/05 at 1:01 PM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 5 min
A A
Serbët në Kosovë akuzojnë njëri-tjetrin për blerje votash

Reklama për vende pune në shëndetësi dhe për ndihmë financiare për të papunët nga buxheti i Serbisë… Pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga Qeveria e Kosovës… Të gjitha në këmbim të “votave të sigurta”.


Këto janë disa nga akuzat që po përshkojnë fushatën zgjedhore në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Një pjesë e tyre i referohet Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ndërsa të tjerat Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, udhëheqësi i së cilës, Nenad Rashiq, drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kundërshtarët politikë të Listës Serbe thonë se dhënia e ndihmës sociale prej 20.000 dinarësh (rreth 170 euro) për 5.000 persona – e cila është paralajmëruar qysh vitin e kaluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “e rezervuar” ekskluzivisht për “votuesit e sigurt” të Listës Serbe.

Sipas tyre, zyrtarë të Listës Serbe janë duke i përgatitur edhe listat nëpër zyrat e veta.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa qytetarë në komunën e Graçanicës dhe atë të Leposaviqit, të cilët e pohojnë të njëjtën gjë, por nuk duan të flasin publikisht.

Zyrtarë të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në anën tjetër, akuzohen se kanë shpërndarë pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për të fituar vota.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej një deri në pesë vjet burgim për çdo person që kërkon ose përfiton ndonjë avantazh të padrejtë, me qëllim të votimit për një person të caktuar.

Millija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ishte ndër të parët që, më 20 janar, tha se qytetarët e Zubin Potokut, në vend se të shkonin në Shërbimin Kombëtar të Punësimit të Republikës së Serbisë, drejtoheshin në zyrat e Listës Serbe “për t’u futur në lista” për marrjen e ndihmës prej 20.000 dinarësh, që shteti i Serbisë e ka premtuar për 5.000 të papunë.

Kjo ndihmë është paraparë me një vendim të Qeverisë së Serbisë, i cili është prezantuar nga vetë presidenti Vuçiq, pas mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Listën Serbe dhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, për t’i pyetur rreth akuzave se kjo ndihmë u jepet ekskluzivisht njerëzve “të përshtatshëm” dhe “votuesve të sigurt të Listës Serbe”, por nuk mori përgjigje.

Më 3 shkurt, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se nga mesi i këtij muaji do të fillojë pagesa e ndihmës financiare për 5.000 të papunët e parë në Kosovë, të cilët do të marrin nga 20.000 dinarë në muaj.

Më pas, siç tha ai, do të fillojë mbledhja e dokumentacionit për një numër të tjerë të të papunëve, “në mënyrë që t’u jepet ndihmë financiare të gjithë atyre që nuk kanë të ardhura të tjera”.

Petkoviq shtoi se ndihma nga shteti i Serbisë nuk ka të bëjë me zgjedhjet në Kosovë dhe se këto janë aktivitete që “zgjasin gjatë gjithë vitit”.

Megjithatë, ai nuk i komentoi akuzat se listat për ndihmë janë duke u përgatitur nga zyrtarë të Listës Serbe në lokalet e partisë.

Vuçiq, Petkoviq dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë u bëjnë vazhdimisht thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe, ndërsa Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në dërgimin e personave të zhvendosur në Kosovë, për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Petkoviq tha se personat që do të marrin ndihmë nga shteti serb, janë të regjistruar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe se ata nuk marrin të ardhura nga burime të tjera të punësimit.

Përveç ndihmës prej rreth 170 eurosh për 5.000 të papunë, vendimi i Qeverisë së Serbisë parashikon edhe 60.000 dinarë (rreth 500 euro) për 300 të papunë shtesë, libra falas për nxënësit e shkollave që funksionojnë brenda sistemit të Serbisë në Kosovë, si dhe shtesa ushqimore.

Gjithashtu, u paralajmërua edhe punësimi i 100 punëtorëve shëndetësorë, pastaj investime shtesë në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë të Veriut, si dhe stimulime për bizneset mikro dhe të vogla dhe për fermerët.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq, tha se konkurset për pozita të reja në institucionet shëndetësore tashmë janë hapur.

Bëhet fjalë për pozita në Shtëpinë e Shëndetit Prishtina, Obiliqi, Graçanica, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Gushterica e Poshtme, Osojani, për Qendrën Shëndetësore Prizren dhe Pejë, për institucionet farmaceutike të Prishtinës dhe Gjilanit. Të gjitha këto funksionojnë në mjediset serbe në Kosovë, brenda sistemit të Serbisë.

Përndryshe, edhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, zyrtarë të Listës Serbe kanë shpallur konkurse për ndarjen e banesave apo për vende të reja pune.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Demokracisë Serbe në Kosovë, Aleksandar Arsenijeviq, e akuzoi Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit se “blen vota me fondet e Qeverisë së Kosovës”.

Rashiq u emërua ministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës, në përpjekje për të parandaluar zëvendësimin e targave serbe në veri të Kosovës me targa të Republikës së Kosovës.

Arsenijeviq publikoi një video, ku pretendohet se po bëhen lista për ndihma nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në lokalet e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në Leposaviq.

Ai u bëri thirrje autoriteteve kompetente që “të reagojnë urgjentisht”.

Në video – autenticitetin e së cilës Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta konfirmonte – dëgjohet një grua duke pyetur nëse ndihma po shpërndahet përmes një partie politike. Një grua tjetër përgjigjet duke thënë: “Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit dhe Marina Bogojeviqit” dhe më pas shton se “mund të regjistroheni për ndihma në formën e mobilieve ose pajisjeve elektroshtëpiake”.

Policia e Kosovës për Rajonin e Veriut konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Demokracia Serbe ka raportuar për blerje të supozuara të votave, se një person është marrë në pyetje dhe se është iniciuar rasti për “dhënie apo marrje të ryshfetit”.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rashiq mohoi blerjen e supozuar të votave, duke shtuar se këto janë “programe të rregullta” të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

“Në dy vjetët e fundit, ne jemi përpjekur t’i zgjerojmë aktivitetet tona në veri. Në thirrjet tona i kemi përfshirë të gjitha autoritetet relevante atje, e në radhë të parë komunën. Nëse dikush ka shkarkuar nga ueb-faqja jonë ndonjë aplikacion për ndonjë nga programet tona dhe e ka lidhur atë me blerjen e votave… kjo është e pakuptimtë”, tha Rashiq.

I pyetur nëse ministria që ai udhëheq, shpërndan pajisje elektroshtëpiake, Rashiq u përgjigj: “Mësa di unë, jo”.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të shpjegojë se si dhe kur është bërë video-incizimi, ku pretendohet se po bëhet lista për këto ndihma në zyrat e partisë së tij.

“Ndoshta autori i atij regjistrimi e di. Mendoj se është e neveritshme që dikush përpiqet të përhapë fjalë se votat blihen me pajisje elektroshtëpiake ose mobilie”, tha Rashiq.

Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë filloi më 11 janar dhe do të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve.

Në garë janë gjashtë subjekte të komunitetit serb: Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Drejtësia Popullore Qytetare./ REL



Ju sugjerojmë

‘Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut’, kryeministri Rama: Qyteti jeton mes harmonisë fetare
Aktualitet

Rama zbulon datën: Ja kur mbahet Konferenca e Pestë Ndërqeveritare

9 Maj, 2025 10:09 am
Gjyqi me Agron Shehajn/ Adriatik Lapaj në GJKKO e paditi për shpifje
Aktualitet

Gjyqi me Agron Shehajn/ Adriatik Lapaj në GJKKO e paditi për shpifje

9 Maj, 2025 10:00 am
Përgatitjet për zgjedhjet e 11 Majit, mbi 3.7 mln qytetarë me të drejtë vote
Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit/Policia e Shtetit me plan masash:Mbi 5000 efektivë të angazhuar

9 Maj, 2025 9:51 am
Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë
Rajoni

Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë

9 Maj, 2025 9:42 am
Tiranë/ Furnizonin grupe kriminale me armë zjarri, arrestohen 2 persona
Aktualitet

Tiranë/ Furnizonin grupe kriminale me armë zjarri, arrestohen 2 persona

9 Maj, 2025 9:22 am
Manipulimi i Ditës së Fitores nga Putini
Bota

Manipulimi i Ditës së Fitores nga Putini

9 Maj, 2025 9:16 am
Papa Leo XIV do drejtojë sot Meshën e parë të Shenjtë në Kapelën Sistine
Bota

Papa Leo XIV do drejtojë sot Meshën e parë të Shenjtë në Kapelën Sistine

9 Maj, 2025 9:11 am
“Giro d’Italia”/ Policia e Durrësit: Ja rrugët ku ndalohet parkimi dhe qarkullimi
Aktualitet

Sot etapa e parë e “Giro d’Italia 2025”! Nga Durrësi në Elbasan e më pas në Tiranë

9 Maj, 2025 8:58 am
A do të dalë Kosova nga ngërçi politik? Sot seanca e 13 për konstituimin e Kuvendit
Rajoni

A do të dalë Kosova nga ngërçi politik? Sot seanca e 13 për konstituimin e Kuvendit

9 Maj, 2025 8:53 am
Zakoni i preferuar i shqiptarëve/ Nis rritja e çmimit të kafesë,ja sa shkon në prill
Aktualitet

Zakoni i preferuar i shqiptarëve/ Nis rritja e çmimit të kafesë,ja sa shkon në prill

9 Maj, 2025 8:45 am
Para
Protesta e 8 Shkurtit/ Berisha: Madhështore, qytetarët në shesh si dëshmitarë të agut të fitores 

Protesta e 8 Shkurtit/ Berisha: Madhështore, qytetarët në shesh si dëshmitarë të agut të fitores 

Drejtoresha e AMF: Pensionet private, mundësi për të ardhura shtesë dhe më shumë mirëqënie

Drejtoresha e AMF: Pensionet private, mundësi për të ardhura shtesë dhe më shumë mirëqënie

Lehtësi për pasaportën shqiptare nga të huajt. E përfitojnë ata për të cilët shteti ka interes 

Zgjedhjet e 11 majit, Qeveria zgjat afatet e vlefshmërisë së dokumenteve të skaduara të identifikimit 
















TE FUNDIT

Rama zbulon datën: Ja kur mbahet Konferenca e Pestë Ndërqeveritare

‘Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut’, kryeministri Rama: Qyteti jeton mes harmonisë fetare
9 Maj, 2025

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se më 22 Maj do të zhvillohet në Bruksel Konferenca e Pestë Ndërqeveritare me Shqipërinë....

Lexo më shumë

Gjyqi me Agron Shehajn/ Adriatik Lapaj në GJKKO e paditi për shpifje

Gjyqi me Agron Shehajn/ Adriatik Lapaj në GJKKO e paditi për shpifje
9 Maj, 2025

Kreu i 'Nisma Shqipëria Bëhet' Adriatik Lapaj është paraqitur në ambientet e GJKKO mëngjesin e sotëm, për gjyqin me Agron...

Lexo më shumë

Zgjedhjet e 11 majit/Policia e Shtetit me plan masash:Mbi 5000 efektivë të angazhuar

Përgatitjet për zgjedhjet e 11 Majit, mbi 3.7 mln qytetarë me të drejtë vote
9 Maj, 2025

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 11 maj. Mësohet se...

Lexo më shumë

Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë

Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë
9 Maj, 2025

Dy djem me origjinë shqiptare, 17 dhe 19 vjeç janë arrestuar gjatë natës në Prato të Italisë, pasi akuzohen se...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com