Politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë çuar në uljen e inflacionin në Shqipëri, duke u rikuperuar plotësisht nga goditja që pësoi për shkak të rritjes së çmimeve nga tregjet ndërkombëtare.
Lajmin e dha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në takimin e fundvitit me gazetarët, duke e cilësuar tashmë si një betejë të fituar të institucionit që ai drejton.
Ai tha se të dhënat më të fundit të vitit 2024 mbi zhvillimet makroekonomike në vend tregojnë që ecuria pozitive e ekonomisë, e shoqëruar me rritje të punësimit dhe të të ardhurave, ka sjellë më shumë të ardhura për biznesin dhe familjet.
“Paralelisht me këto zhvillime, inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke u rikuperuar plotësisht nga goditja që pësoi për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe arriti në nivelin 2% në nëntor të vitit 2024. Ky rikthim i stabilitetit të çmimeve është shoqëruar me lehtësim të kostove të jetesës së familjeve dhe rritje të investimeve të bizneseve. Gjithashtu, presionet e përgjithshme inflacioniste janë reduktuar, të ndihmuara nga faktorë si: rënia e inflacionit në partnerët tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë dy viteve të fundit.
Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ka bërë progres të rëndësishëm në dy nisma kyçe në fushën e pagesave dhe asaj të mbikëqyrjes bankare: anëtarësimi në SEPA, më 21 nëntor 2024, dhe avancimi i bankingut të hapur. Integrimi në SEPA do të lehtësojë kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët – një hap i rëndësishëm ky drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët. Gjithashtu, në linjë me rregulloret e BE-së, Banka e Shqipërisë ka avancuar në implementimin e bankingut të hapur, duke nxitur përdorimin e platformave digjitale, me qëllim rritjen e përfshirjes financiare dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur për klientët dhe bizneset. Bankingu i hapur do të mundësojë akses më të gjerë dhe transparent në shërbimet financiare për të gjithë popullsinë. Ky zhvillim është pjesë një strategjie më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe digjitalizimin e ekonomisë.
Të dyja nismat synojnë të përmirësojnë përfshirjen financiare, duke shërbyer drejtpërdrejt në reduktimin e nivelit të informalitetit dhe si rrjedhojë, duke mbështetur rritjen e qëndrueshme afatgjatë”, tha Sejko.