Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër pasi seanca parlamentare u ndërpre për disa minuta për shkak të mungesës së ministrit të Financave, Petrit Malaj në Kuvend.
Ai theksoi se në momentin kur prezantuesi i një projektligji nuk ndodhet në seancë, hiqet nga pika e rendit të ditës.
Bardhi i është drejtuar Spiropalit duke thënë se mund ta shqyrtojnë si dikstum pasi t’i dalë gjumi ministrit të Financave.
“Nuk është kafja personale as e juaja, e as e ministrit të Financave. Koha e tij nuk është më e rëndësishme se 140 deputetëve që ne do të duhet të ndërpresim seancën se ai nuk ndodhet në sallë. Të presim 40 min sa të vijë Ministri, kjo është situatë e përsëritur.
Nëse keni përmbysur hierarkinë shtetërore dhe individë të pavotuar e kanë kohën më të rëndësishme se sa 140 deputetë përfaqësues të qytetarëve të votuar në këtë sallë, na e thoni të ndryshojmë Kushtetutën, ta shpallin republikë Kryeministrore. Nuk ndodh në asnjë Parlament që të ndërpritet seanca për 40 minuta se nuk ka ardhur anëtari i Këshillit të Ministrave për prezantim projektligji, Nëse nuk vjen në kohë, kalon ajo pikë e rendit të ditës kur ti dalë gjumi e shqyrtojmë ne projektligjin e propozuar.
Po te presin deputetët 40 minuta që të vijë ministri i Financave është e papranueshme”, tha Bardhi.