Një operacion i Policisë Kufitare në Sarandë ka bërë të mundur kapjen e një superskafi 12 metra, me tre shtetas të huaj në bord.
Skafi është ndjekur nga dy mjete të shpejta të Policisë Kufitare dhe është bllokuar dhe kapur afër zonës së Kakomesë. Ndërkaq, po vazhdojnë kontrolle me shumë forca nga toka, pasi skafi dyshohet se ka ardhur për të transportuar lëndë narkotike nga Shqipëria për në Greqi. Sipas Policisë, shtetasit janë të kombësisë turke. Ky është rasti i dytë që brenda muajit tetor Policia Kufitare bllokon mjete dhe shtetas të huaj, të cilët vijnë për trafikim të lëndëve narkotike. Mjeti i kapur mbrëmë ka tentuar disa herë të ngarkojë lëndë narkotike gjatë këtij muaji, por për shkak të masave të marra, e ka pasur të pamundur. Momentalisht shtetasit e huaj do të procedohen për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror. Ndërsa mjeti i tyre lundrues është sekuestruar. Forca të shumta kanë kontrolluar të gjithë zonën për rreth, pasi ka dyshime se droga që do të trafikohej ishte e fshehur aty pranë./ Panorama.al