Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba, ministri Igli Hasani, tha se Ukraina ka qenë përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare.
“Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë”- tha ministri Hasani.
Sipas Shefit të diplomacisë shqiptare, plani me 10 pika i Presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.
“Plani me 10 pika i Presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”.
Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”- tha Hasani.
Ministri zbuloi se në fokus të takimi ka qenë ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën e rrënuar nga lufta.
“Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Dakortësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”- tha ministri, duke ritheksuar mbështetjen e rrugës evropiane të Ukrainës.
“Mbështesim avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane. Të gatshëm që të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që Samiti i sotëm të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”- tha Hasani.