Brenda pak minutash rusët lëshuan mbi njëzet raketa balistike kundër Kievit, Kharkivit, Dnipros dhe Provincës Zaporizhia. Objektivat kryesore ishin përsëri termocentralet.
Të paktën 4 persona u vranë, ndërsa shumë lagje të kryeqytetit u zhytën në errësirë dhe mbetën pa ngrohje, me temperaturat që zbritën në minus 14 gradë.
Presidenti Volodymyr Zelensky përmes një postimi në X tha se rusët lëshuan gati 300 dronë sulmues, shumica prej tyre Shaheds, 18 raketa balistike dhe shtatë raketa kruiz gjatë natës.
“Edhe një herë objektivi kryesor i sulmit ishin objektet tona të prodhimit të energjisë. Për fat të keq, ka ndodhur shkatërrim i gjerë i infrastrukturës civile. Rajonet e Dnipro, Zhytomyr, Zaporizhzhia, Kiev, Odessa, Sumy, Kharkiv dhe Donetsk u sulmuan” dhe se “pa ndonjë qëllim ushtarak, Rusia lëshoi raketa në një terminal postar në Korotych, rajoni Kharkiv, duke vrarë katër persona”, shkroi Zelensky teksa theksoi se Rusia duhet të mësojë se i ftohti nuk do ta ndihmojë të fitojë luftën.
Ndërkohë SHBA dhe OKB dënuan sulmet e ditëve të fundit me raketat Oreshnik.
“Përdorimi javën e kaluar i raketës me rreze të mesme veprimi,”përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të rrezikshëm dhe të pashpjegueshëm të kësaj lufte”, i tha Këshillit të Sigurimit zëvendësambasadorja e SHBA-së në OKB, Tammy Bruce.

















