Në qendër një kryeqytet europian, pak metra më tutje i pistë si një kazan… me pluhur e një zhul të ngjizur në kohë, si provë se papastërtia nuk është e rastësishme.
Këto rrugë të Tiranës, të papastruara, të mbushura me mbeturina dhe pluhur shoqërojne çdo ditë hapat e qytetarëve dhe turistëve.
Papastërtia është kudo, nga rrugicat e lagjeve, deri tek segmentet kryesore të qytetit.
Edhe përballë institucioneve kryesore si Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku lëvizja është e dendur dhe ndjeshmëria e lartë, rrugët janë mbuluar nga pisllëku.
Vera e bën më të rëndë situatën.
“Nuk është e këndshme nga ana e shikimit, dhe as higjienike”, u shpreh një qytetare.
“Pisllëk dynjaja…”, shprehet një tjetër.
“Të marrin lekun, por ama të bëjnë dhe punën”, shtoi një qytetare.
Qytetarët thonë se kjo situatë është e vazhdueshme.
“I pastroj vetë. As që vijnë fare, fare, fare”, tha një qytetare.
“S’ka kryetar bashkie tani, është keq. Tirana ka qenë gjithnjë kështu e pisët, pa një çikë pisllëk, nuk jetohet në Tiranë”, tha një qytetar.
“Nga pastrimi vijnë… ka ditë që vijnë, ka ditë që s’vijnë”, shtoi një qytetar.
Mungesa e pastrimit të rregullt, jo vetëm që ndikon në shëndetin publik, por ul cilesinë e jetës urbane, duke ndikuar kështu edhe në imazhin e Tiranës.
Tv Klan