Një autobus i mbushur me turistë gjatë rrugës për në një vend turistik në rajonin e Asturias të Spanjës veriore doli nga rruga dhe u përmbys.
Aksidengti ndodhi në zonë malore dhe për pasojë kanë mbetur të plagosur rëndë disa persona.
Mediat e huaja shkruajnë se shoferi dhe 48 pasagjerë kanë qenë në autobus në momentin kur ai doli nga rruga për arsye ende të panjohura.
Zjarrfikësit po punonin në vendin e aksidentit në Cangas de Onis dhe asnjë person nuk u bllokua brenda, thanë shërbimet e urgjencës në një deklaratë.
Dy dëshmitarë thanë se autobusi u rrotullua dy herë dhe u përmbys.
Një zëdhënës i policisë tha se gjithsej 10 persona janë shtruar në spital, shtatë prej tyre me lëndime të rënda, megjithëse gjendja e pasagjerëve të mbetur nuk dihet ende.
Zëdhënësi i shërbimeve të urgjencës tha se ende nuk dihet numri i saktë i të plagosurve. Dy gra u dërguan në spitale të ndryshme me helikopter. Ndërsa nuk ka detaje për kombësinë e pasagjerëve./Opinion.al