Duke filluar nga dita e sotme, qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të energjisë elektrike.
Lajmi është bërë i ditur nga Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS).
KEDS ka njoftuar se reduktimi i energjisë elektrike do të nisë nga ora 08:00, duke shtuar se konsumatorët do të kenë gjashtë orë energji elektrike dhe dy orë reduktime.
Po ashtu u bë me dije nga KEDS se ky vendim ka ardhur si pasojë e pamundësisë financiare për të blerë energji nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rritje.
Ndërkohë, në 9 gusht të këtij viti, KEDS kishte kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të shtrenjtonte tarifat e energjisë. Pas kësaj kërkese, u bë dhe njoftimi për reduktimin e energjisë që do të nisë ditën e sotme.
Një muaj më parë, Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS), kishte paralajmëruar se do të kishte një dimër të vështirë për shkak të krizës energjitike që ka prekur Europën.
Ndërsa, në njoftimin e 14 gushtit, KEDS kishte thënë se për shkak të rritjes së çmimeve të importit, kjo kompani dhe KESCO vitin e kaluar e kishin mbyllur me mbi 46 milionë euro humbje.
Kujtojmë se edhe në 2021, Kosova është prekur nga kriza energjitike, ku qytetarët kosovarë u përballën me reduktime të energjisë dhe shtrenjtim të tarifave./Opinion.al