Edhe në Durrës është protestuar kundër rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburantit. Në shenjë proteste, durrsakët kanë fikur makinat për të bllokuar rrugët.
Të dyja anët e rrugës kryesore në bulevardin “Dyrrah” u bllokuan, ndërsa paralelisht qytetarët protestuan në sheshin “Liria” me pankarta në duar kundër rritjes së çmimeve.
Nuk munguan as forcat policore të cilat u pozicionuan ne sheshin kryesor duke u kërkuar protestuesve të lironin rrugët e qytetit, por që nuk u dëgjuan nga qytetarët që vijonin të protestonin qetësisht.
Protestuesit paralajmëruan se do të përshkallëzojnë daljet e tyre ditën e nesërme duke bllokuar rrugët hyrëse të qytetit të Durrësit.