Bota

Rritet numri i të vdekurve nga virusi në Kinë


               Publikuar në : 08:27 - 24/01/20 |
xhu lia

Janë rritur masat e izolimit në provincën Hubei të Kinës , e cila tashmë njihet si qendër ku ka shpërthyer një lloj i koronavirusit, teksa numri i të vdekurve ka arritur në 26. Në 10 qytete në qendër të kësaj province kineze, me një popullsi prej 60 milionë banorësh u janë vendosur kufizime për të udhëtuar

Gjatë të enjtes një pacient ka vdekur afër provincës Hubei, duke shënuar vdekjen e parë prej këtij virusi jashtë provincës. Një tjetër vdekje u konfirmua më vonë në Heilongjiang.

Në gjithë Kinën aktualisht janë konfirmuar 830 persona të prekur me këtë virus. Masat izoluese vijnë në kohën e përgatitjeve të Vitit të Ri kinez, një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e këtij vendi.

Miliona persona tradicionalisht udhëtojnë në shtëpi për këtë festë, mirëpo në provincën Hubei nuk do të ketë festime. Përveç Kinës, virusi është duke u shpërndarë edhe në Singapor, Vietnam dhe një rast është raportuar edhe në Shtetet e Bashkuara.

I njohur si 2019-nCoV, virusi është thënë se është një lloj i koronavirusit që më parë nuk është identifikuar tek njerëzit.

Virusi SARS që ka lënë të vdekur rreth 800 persona në gjithë botën në fillim të viteve 2000 ka qenë po ashtu koronavirus./Opinion.al/

Pas