Një aeroplan i vogël është rrëzuar të dielën në Aeroportin Southend, në bregdetin juglindor të Anglisë, njoftoi policia lokale.
“Jemi aktualisht në vendngjarje dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha shërbimet e emergjencës. Operacionet e shpëtimit dhe hetimit do të zgjasin disa orë. I bëjmë thirrje publikut të shmangë zonën derisa përpjekjet të vazhdojnë”, tha policia në një deklaratë.
Sipas mediave britanike, aeroplani i rrëzuar është një Beechcraft King Air B200 me dy motorë. Fluturimi ishte i destinuar për qytetin Lelystad në Holandë.
Imazhet qarkulluan në mediat sociale duke treguar tym të zi të dendur që ngrihej mbi aeroport, ndërsa një dëshmitar okular u tha mediave lokale se pa një “top zjarri të madh”.
Rrethanat e aksidentit dhe numri i personave në bordin e avionit mbeten të panjohura, ndërsa hetimet janë në kulmin e tyre.