Aktualitet

Rreziqet dhe shanset e mandatit të tretë! Çfarë ka mbetur akoma pa parë


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:24 - 02/05/21 |
Opi Nion

Planet për vepra të mëdha në mandatin e tretë rrezikojnë të shfryhen nga borxhi i lartë publik dhe ezaurimi i hapësirave fiskale. Rreziqet e vazhdimit të PPP-ve dhe sidomos atyre të fshehura, siç janë garantimi i trafikut të aeroporteve të reja që pritet të ndërtohen. Arbitrazhet janë një tjetër detyrim që mund të kalojë 400 milionë euro. Në anën tjetër, ekonomia, e cila u vu përpara shëndetit, pritet që ta marrë shpejt veten pas rënies që pësoi nga pandemia e Covid-19.

Ekonomia informale, që veproi si amortizator i krizës, mund të kthehet në bumerang. Borxhi publik mund të kalojë 90% të prodhimit të përgjithshëm, përfshirë PPP-të dhe faturën e arbitrazhit

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 prillit, duke u bërë e para në historinë e demokracisë që merr tre mandate radhazi. Pas tetë vitesh me luhatje ekonomike, që kulmoi me dëmin i cili u shkaktua nga pandemia dhe tërmeti dhe eksperimentet e rrezikshme me Partneritetet Publike – Private, kryeministri Rama kishte pohuar se i duhej një mandat i tretë për të realizuar projekte të mëdha, si tre apo katër aeroporte, rrugë e tunele, porte të mëdha turistike etj.

Por, këto projekte rrezikojnë të shfryhen për shkak të ezaurimit të hapësirës fiskale. Borxhi publik iu afrua 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2020-n, me rritje 13 pikë përqindje me vitin e kaluar, si rrjedhojë e pandemisë, duke qenë ndër më të lartët në Europë. Tendenca ishte në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti, pas marrjes së kredive të reja nga Komisioni Europian dhe Banka Ndërkombëtare për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).

Me një ekonomi që është më pak konkurruesja në Europë, borxhi publik ka arritur në nivele të paqëndrueshme dhe ulja e tij do të jetë e vështirë. E kaluara ka treguar se borxhi është rritur më pak se ekonomia, duke qenë një tregues indirekt i efektivitetit të ulët të përdorimit të tij, i lidhur dhe me projektet e dyshimta të Partneriteteve Publike – Private, sa i përket raportit-kosto përfitime.

Pandemia nuk e pengoi qeverinë, që në prag të zgjedhjeve të hapte një sërë projektesh të mëdha, për të cilat dukshëm nuk e kishte aftësinë paguese. Tipik ishte tuneli i Llogorasë, me një kosto totale 150 milionë euro dhe financim nga buxheti, që duhet të ndërtohej brenda tre vitesh, i cili kishte të parashikuar në buxhet, për të njëjtën periudhë kohore, vetëm 30% të vlerës totale! Projekti është tashmë pezull.

Projektet e tjera për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit dhe Vlorës janë me trafik të garantuar, gjë që do të thotë se buxheti do të paguajë në rast se kompanitë nuk do të kenë numrin e parashikuar të pasagjerëve, duke i shtuar një tjetër barrë të fshehtë buxhetit, ashtu siç ndodhi me rrugën Durrës-Kukës, ku rënia e trafikut gjatë pandemisë u kompensua me paratë e taksapaguesve. Vetëm për aeroportin e Sarandës është deklaruar se risku do të merret nga investitori.

Projekti i portit të Dubait, një investim i deklaruar prej 2 miliardë eurosh, përtej efekteve pozitive (nëse do të arrijë të realizohet) ka nga pas koston e zhvendosjes së Portit tregtar në Porto Romano dhe dhënies së një tjetër koncesioni, teksa qeveria nuk i ka 500 milionë euro që vlerësohet se duhen për ta ngritur atë.

Rreziqet e buxhetit

Për vendet në zhvillim, një borxh deri në nivelin e rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) quhet i qëndrueshëm. Shtetet e rajonit, përveç nesh dhe Malit të Zi, e ulën me shpejtësi këtë tregues deri para fillimit të pandemisë. P.sh., Serbia e zbriti nga 70% e PBB-së (nivel i ngjashëm me tonin) në 50% brenda pak vitesh, ndërsa Shqipëria nuk arriti ta ulte më shumë se disa pikë përqindje (në 66.4%), edhe kjo e ndihmua nga efekti i kursit të këmbimit). Ulja e borxhit u dha hapësirë vendeve të rajonit të kishin stimuj më të lartë fiskalë gjatë pandemisë, ndryshe nga Shqipëria, e cila u mjaftua me 1% të PBB-së, më e ulëta në Europë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi shpesh qeverisë që në kohën e pandemisë të frenonte shpenzimet, duke u kufizuar tek ato të domosdoshme, por në prag të zgjedhjeve, askush nuk e mori parasysh këtë këshillë dhe fronte të reja pune u hapën. Në buxhet, qeveria ka projektuar edhe këtë vit një deficit fiskal të lartë prej gati 108 miliardë lekësh (gati sa 80% e deficitit të vitit pandemik), ndërsa borxhi publik projektohet sipas FMN-së të qëndrojë rreth 80% për një periudhë disavjeçare.

Banka Botërore paralajmëroi në raportin e fundit se pas vitit 2021, hapësira e kufizuar fiskale ka të ngjarë të çojë në pakësim të shpenzimeve qeveritare. Situata fiskale mund të përkeqësohet nëse mbledhja e të ardhurave nuk rritet. Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të ulë shpenzimet kapitale për të mbajtur nën kontroll raportin e borxhit ndaj PBB-së.

PPP-të e deklaruara dhe ato të fshehura

Strategjia e qeverisjes së majtë ishte rritja e investimeve përmes të ashtuquajturave Partneritete Publike e Private (PBB), që në fakt janë një borxh i fshehur.

Shqipëria shënon një rekord në Europë sa u përket angazhimeve jashtë bilancit të qeverisë, që ka marrë për koncesionet e formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), në 9.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2021, për 13 kontrata koncesionare, qeveria ka nënshkruar kontrata me vlerë totale 195 miliardë lekë, ose gati 1.6 miliardë euro, të cilat do të shlyhen gradualisht për një periudhë 10 apo më shumëvjeçare.

Nga kjo shumë, deri në fund të vitit 2020, janë paguar dhe pritet të paguhen në total 36 miliardë lekë, ose rreth 18% e vlerës totale të kontratave. Në dekadat e ardhshme (maksimumi deri në 2046, kur përfundon dhe koncesioni i fundit i inceneratorit të Tiranës) do të duhet të paguhen edhe gati 160 miliardë lekë të tjera (1.3 miliardë euro). Kjo shumë është sa 9.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të pritshëm të vitit 2021.

Ministria e Financave ka sqaruar se referuar kuadrit ligjor për koncesionet/PPP, dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre nuk është një instrument borxhi, por një alternativë e njohur edhe ndërkombëtarisht, e cila përzgjidhet nëse ofron vlerën më të mirë për para, në përputhje me dispozitat e ligjit 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, të ndryshuar. Financat llogarisin në shpenzimet korente apo kapitale, vetëm pagesat e vitit përkatës që kryhen për kontratat koncesionare.

Si rrjedhojë, detyrimi i lidhur me PPP-të që duhet paguar në vitet në vijim, që është sa 9.5% e PBB-së, llogaritet si vlerë jashtë bilancit të qeverisë e Partneriteteve Publike-Private. Shqetësimet për PPP-të shihen nga ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare në tre këndvështrime:

-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale të mbetura prej 1.3 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 9.5 pikë përqindje, duke e çuar atë në 88% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 78% që pritet të mbërrijë në fund të 2020-s, sipas FMN-së.

-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave. Pasi i pezulloi dhe uli një pjesë të pagesave për 2020, pas krizës së Covid-19, këtë vit qeveria është detyruar t’i rikthehet normalitetit, duke dyfishuar pagesat për koncesionet në 14.4 miliardë lekë, ose rreth 120 mln euro.

-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë të rriten pa kontroll, apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi). Vetë Financat kanë pranuar se për shumë projekte koncesionare, rreziku financiar është marrë përsipër nga shteti.

Fatura e rëndë e arbitrazheve

Qeveria rrezikon në vitet e ardhshme të paguajë një faturë të majme për prishjen e kontratave. Së fundmi, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, dha vendimin përfundimtar në gjyqin me Francesco Becchetti, duke e detyruar qeverinë shqiptare të paguajë 110 milionë euro për dëmin që i ka shkaktuar sipërmarrësit italian për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Në radhë janë dhe shumë çështje të tjera arbitrazhi, që kanë një probabilitet të lartë për t’u humbur (gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit priren që të mbrojnë sipërmarrësit dhe t’u lënë qeverive kostot e vendimeve të tyre politike). Bashkimi i kompanive “Copri” dhe “Aktor”, të cilat ishin të angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ka arritur të fitojë në fazën e parë një dëmshpërblim prej 45 milionë dollarësh. Kompania italo-japoneze, “Dondi Kubota”, e cila zbatoi projektin impiant të përpunimit dhe pastrimit të ujërave të zeza të Tiranës, pretendon 90 milionë euro dëme për ndërprerje kontrate.

“Arka Energy B.V.”, që fitoi dhe më pas iu anulua tenderi për parkun fotovoltaik të Akërnisë në Fier, kërkon në arbitrazh 110 milionë euro. Përplasja e qeverisë me “Durrës Kurum Shipping”, për ndërprerje kontrate, mund të kushtojë 100 milionë euro. Në total, dëmshpërblimi potencial llogaritet rreth 450 milionë euro, një shumë që është më shumë se gjysma e shpenzimeve kapitale të një viti dhe mund ta çonte buxhetin në paaftësi paguese, nëse të gjithë do të kërkonin njëherësh të paguheshin.

Nëse borxhit të deritanishëm publik i shtohet fatura jashtë bilancit e PPP-ve dhe ato të arbitrazhit, borxhi potencial mund të kalojë 90% të PBB-së, duke ngushtuar ndjeshëm hapësirat fiskale të vendit dhe duke çuar në një ulje të detyruar të shpenzimeve.

Ekonomia u vu para shëndetit, pritet të rimëkëmbet me shpejtësi

Në kahun pozitiv, më e keqja duket se ka kaluar, pasi ekonomia e preku fundin në 2020-n, sidomos në 6-mujorin e parë, kur vendi ishte i mbyllur.

Në pjesën e dytë të vitit dhe fillimin e vitit 2021, qeveria zgjodhi qartësisht ekonominë para shëndetit, duke mos e mbyllur më vendin, pavarësisht kulmeve të pandemisë në nëntor-dhjetor dhe shkurt-mars. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i jetëve të humbura në 10 muaj pandemi i ka kaluar 10 mijë persona, ndërsa për 2020-n, Shqipëria shënoi rekord në Europë për rritjen e fataliteteve në raport me periudhat e mëparshme (me +26%), ndërsa ishte e treta për shtesën e vdekjeve për 100 mijë banorë pas Bullgarisë dhe Maqedonisë (të dy këto të fundit shtete që edhe në vite normale kanë vdekshmëri të lartë).

Pas marsit, ritmet e infektimit kanë rënë, teksa imuniteti i tufës duket se u arrit pas lënies së tij të lirë dhe vaksinimi e ndihmoi më tej. Por, rreziku i mutacioneve të reja, imunë nga vaksina mbetet gjithnjë i pranishëm.

Ekonomia ra me 3.3% në 2020-n, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare nga -7.5 në -9% dhe se vetë qeverisë (-4.5-5%). Mbajtja e ekonomisë hapur, informaliteti i sektorit të ndërtimit dhe rindërtimi ishin faktorët që ndikuan.

Ky vit ka nisur me një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike, sipas treguesve fillestarë të ecurisë së të ardhurave buxhetore dhe eksporteve. FMN parashikon tashmë që nivelet e parakrizës do të arrihen që këtë vit, jo më në vitin 2022, siç ishte vlerësimi fillestar.

Deri tani, ekonomia ka pasur një zhvillim rastësor, i nxitur nga shpirti sipërmarrës dhe vetëpunësimi, ndërsa shteti jo vetëm nuk ka orientuar model, por nuk ka arritur as të ndjekë ritmin e bizneseve. Turizmi pritet të rimëkëmbet me shpejtësi në momentin që pandemia do të përfundojë, ndërsa investimet në këtë sektor vijuan edhe gjatë periudhës së krizës.

Banka Botërore parashikon se sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi, dhe ndërtimi pritet të jenë nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes, pjesërisht falë investimeve në procesin e rindërtimit, siç ka ndodhur pas katastrofave të ngjashme natyrore në ekonomitë në zhvillim. Në vitet e ardhshme, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, duke mbështetur përpjekjet e rindërtimit. Investimet private do të kontribuojnë në rritje për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe do të rritet aksesi i biznesit në financa, vlerëson BB.

Përqendrimi i ekonomisë në pak duar

Kriza e pandemisë e thelloi më tej fuqizimin e kompanive të mëdha, ndonëse është e vështirë të ndash se sa kjo ardhur nga merita e tyre dhe sa nga mbështetjet dhe favorizimet që kanë nga qeveria. Rreziku i përqendrimit të ekonomisë në pak duar është rritur, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën e lirë dhe dekurajimin e sipërmarrjeve që nuk kanë lidhje me pushtetin. Të mëdhenjtë, duke përfituar dhe nga pandemia, pritet të jenë aktivë në blerje të mëtejshme në periudhën në vijim.

Bumerangu i informalitetit

Informaliteti është rritur vitet e fundit. Një tregues indirekt është rritja e parasë jashtë bankave, që ka arritur në rreth 24% të totalit, më e larta në Europë dhe rekord i dekadës së fundit.

Sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme “shpëtoi” ekonominë në vitin e vështirë të pandemisë dhe pritet të jetë faktor edhe këtë vit, teksa një pjesë e konsiderueshme e tij konsiderohet që furnizohet nga aktivitetet informale.

Të dhënat e detajuara vjetore të INSTAT tregojnë se në 2020-n, nga 11 aktivitete kryesore ekonomike, vetëm 3 prej tyre ishin me rritje, “Pasuritë e paluajtshme”, “Ndërtimi” si dhe “Administrata publike; arsimi; shëndetësia”. Të gjithë sektorët e tjerë ishin me rënie, më e fortë në grupin “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që vuajtën direkt pasojat e kufizimeve dhe ndalimit të udhëtimeve, si dhe në industri (shiko grafikun: Ndryshimi i PBB-së në vlerë, sipas aktiviteteve ekonomike).

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje gjatë të gjithë tremujorëve, madje edhe në të dytin, kur vendi ishte në karantinë totale (+5.47%), ndërsa të gjithë vitin e mbylli me një zgjerim prej 6.74%. Edhe në vlerë nominale, ky është sektori që kryeson ndryshimin e rritjes ekonomike në 2020-n. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme në vlerë ishin rreth 850 milionë euro, duke arritur në 6.55% të PBB-së, ose 1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Ndërtimi është sektori i dytë me rritjen më të lartë në 2020-n. Pas rënies në 6-mujorin e parë, ritmet e rritjes në pjesën e dytë të vitit ishin dyshifrore, duke arritur në total në rreth 1.1 miliardë euro, me një zgjerim real vjetor prej 1.62%. Rritja e ndërtimit reflekton dy tendenca, e para shtimi i banesave rezidenciale, kryesisht në kryeqytet dhe hoteleve në bregdet dhe e dyta, procesi i rindërtimit.

Vrulli i ndërtimit pritet të vijojë, nisur nga sipërfaqja e lartë e lejeve të ndërtimit të dhëna në dy-tre vitet e fundit, duke “fryrë” artificialisht ekonominë. Por, me maturimin e kërkesës dhe ikjen e vazhdueshme të banorëve nga vendi, flluska pritet të “shfryhet”, duke u kthyer në një bumerang, në një të ardhme afatmesme./ Monitor/

 

Pas