12 pushues që rrezikuan të mbyteshin në det në dy zona të ndryshme të vendit, u shpëtuan nga policia kufitare.
Njëri nga mjetet lundruese me 8 pasagjerë, 3 prej tyre të mitur pësoi defekt në mes të detit, në Vilun, Velipojë, ndërsa mjeti tjetër lundrues me 4 pasagjerë u përplas me gurët dhe rrezikoi të fundosej në vendin e quajtur “Bishti i Pallës”, Durrës.
Pas marrjes së njoftimit nga një shtetas se mjeti lundrues skaf me të cilin ai po lundronte bashkë me 7 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt në plazhin e Vilunit, dhe e kishte të pamundur të dilte në breg të detit, Policia Kufitare ka shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Brenda disa minutash, shërbimet e Policisë Kufitare kanë lokalizuar mjetin lundrues skaf që kishte pësuar defekt në mes të detit dhe kanë nxjerrë në breg të detit, 8 pasagjerët e këtij mjeti lundrues, 3 prej të cilëve ishin të mitur.
Gjithashtu, efektivët e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë njoftim se një tjetër mjet lundrues skaf me 4 pasagjerë, ishte përplasur me disa gurë në vendin e quajtur “Bishti i Pallës” dhe rrezikonte të fundosej pasi ishte futur ujë.
Pas njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, bashkë me një mjet lundrues të Policisë Kufitare. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin lundrues që po rrezikonte të fundosej në det dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke nxjerrë në breg me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 4 pasagjerët e mjetit lundrues skaf.
Të gjithë pasagjerët e 2 mjeteve lundruese fatmirësisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.