Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës post-mortem” rreshterin e policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku që ra heroikisht dje në krye të detyrës në veri në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial.
Këtë urdhër e kanë pranuar familjarët e tij.
Afrim Bunjaku humbi jetën si pasojë e një sulmi të kryer nga një grup personash të armatosur në veri të Kosovës.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.
Për pasojë mbeti i vrarë Bunjaku ndërsa u plagosën dy policë të tjerë që janë jashtë rrezikut për jetën.