3 vajzat e familjes Përleka në Mirditë vuajnë nga një sëmundje e rrallë dhe nuk ecin dot. Prindërit i çojnë ato në shkollë duke i mbajtur në duar.
Të tri vajzat mund të kurohen jashtë shtetit, por analizat kushtojnë shumë. Për këtë arsye prindërit dhe vajzat bëjnë apel për ndihmë.
Në pamje të parë këto tre vajza, duken si gjithë fëmijët e tjerët, por në realitet nuk janë ashtu. Tre motra të moshës 11, 9 dhe 6-vjeçe vuajnë nga një sëmundje e rrallë që i pengon të ecin, pasi ndjejnë lodhje tek gjunjët dhe rrëzohen.
Dinela, Melisa dhe Etna, të cilat jetojnë në Mirditë vuajnë nga neopoti, një sëmundje që prek shumë pak fëmijë në botë dhe në gjendje më të rëndë është vajza e vogël Etna, e cila nuk mund të lëviz fare pa ndihmën e prindërve
Dritan Përleka dhe Mirela Përleka, prindërit e tyre shprehen se sëmundja ju është shfaqur që në moshen 2-vjeçare, ndërsa kurimi është i mundur vetëm në spitalet jashtë vendit. Ata thonë se nuk kanë mundësi financiare për t’i dërguar fëmijët për kurim jashtë shteti, pasi kostoja është mijëra euro.
Vajzat janë të vetëdijshme për sëmundjen që vuajnë. Më e madhja, Dinela mes lotësh rrëfen për vështirësitë që i ka shkaktuar sëmundja, ndërkohë që apelon për ndihmë.
Familja prej 10 anaterësh e Dritan Përlekës jeton në kushte shumë të vështira ekonomike, pasi e vetmja e ardhur për ta është rroga që merr kryefamiljari.
Çdokush që ka mundësi mund ta ndihmojë këtë familje, në mënyrë që 3 vajzat e vogla të rriten si gjithë fëmijët e tjerë. Por sot një apel shkon edhe për qeverinë e cila mund të mbulojë një pjesë të shpenzimeve për kurimin jashtë shtetit./Shqiptarja.com
Numri i telefonit të Dritan Përlekës është 0685120347…. ndërsa numri i llogarisë 1228229-17… Socita Generale Albania Dega Rrëshen