Rregullat e reja për lëngjet në avion rrisin kaosin dhe kostot për udhëtarët

Vetëm pak ditë pas vendimit të Bashkimit Europian për të lejuar deri në dy litra lëngje në bagazhet e dorës, udhëtarët janë përballur me një tjetër shqetësim: çmimet e larta shtesë për transportin e tyre.

Shoqata italiane e mbrojtjes së konsumatorëve, Assoutenti, paralajmëron se mungesa e qartësisë dhe zbatimi i ndryshëm i rregullit nëpër aeroporte mund të shkaktojë kosto deri në 130 euro për pasagjerët.

Sipas Assoutenti-t, aeroportet europiane nuk kanë një qasje të unifikuar.

Edhe pse skanerët e rinj që lejojnë kontrollin e sigurt të lëngjeve në shishe mbi 100 ml janë instaluar në disa aeroporte si Milano Malpensa, Linate, Roma Fiumicino, Bologna dhe Torino, disa prej këtyre ende nuk e kanë zbatuar rregullin e ri.

Pasagjerët, të paqartë mbi rregulloren që zbatohet në secilin aeroport, detyrohen shpesh të dorëzojnë bagazhet e dorës në stivë në moment të fundit, me tarifa të kripura.

Tarifat variojnë nga 35 deri në 75 euro për Ryanair, deri në 70 euro për WizzAir, 65 euro për Easyjet dhe deri në 130 euro për fluturimet ndërkombëtare me ITA Airways.

“Kjo është një situatë totale kaosi që mund të rëndojë ndjeshëm mbi xhepat e pasagjerëve,” deklaroi presidenti i Assoutenti-t, Gabriele Melluso.

Ai kërkoi nga autoriteti italian i aviacionit civil, ENAC, që të publikojë një listë të përditësuar të aeroporteve që lejojnë transportin e lëngjeve mbi 100 ml në bagazhet e dorës, për të shmangur surprizat dhe kostot e papritura.

Në mungesë të një standardi të përbashkët në të gjithë BE-në, udhëtarët këshillohen të informohen paraprakisht për rregullat që zbatohen në aeroportin e nisjes dhe të mbërritjes, për të shmangur humbjen e produkteve apo pagesat e shtuara gjatë pushimeve verore./tvklan




Ju sugjerojmë
















TE FUNDIT