Emri im është Linda, kam lindur në Shqipëri në vitin 1987. Jam një vajzë transgjinore që jeton në Itali prej vitit 1999. Jam trans që prej moshës 20 vjeç edhe pse nuk është korrekte të thuash kështu duke qenë se jam ndjerë femër që kur kam lindur. Unë besoj tek nevoja për të treguar historitë e vajzave trans që janë të gatshme të përballojnë betejën kundër paragjykimeve dhe transofobisë. Prej shumë vitesh bashkëpunoj me shoqatën italiane të transgjinorëve e cila lufton për njohjen e të drejtave tona dhe sot ndihem e gatshme të përballem me popullin shqiptar dhe të dal hapur në lidhje me nacionalitetin tim.
Jeta ime ka qenë shumë e trazuar dhe e vështirë, si ajo e pjesës më të madhe të vajzave transeksuale, por kjo është një tjetër histori, sot dua të flas për gjëra më specifike në lidhje me temën e transeksualëve. Kohë më parë kam parë një intervistë në një televizion kosovar të Edonës, një transgjinoreje tjetër dhe komentet që lexova poshtë intervistës më bënë të qaj nga zemërimi. Shqipëria është një vend kaq i bukur dhe shqiptarët janë një popull i dashur dhe i ëmbël, me vlera që nuk i kam gjetur në asnjë vend tjetër, por ka një problem të madh që është ai i mosinformimit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që komuniteti trans të shfaqet në televizion për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se të jesh trans nuk është një lojë e as një zgjedhje por është një gjendje. Do të doja që personat që na gjykojnë ne si një turp e që thonë se duhet të vdesim, meritojmë të pushkatohemi apo se Enver Hoxha do të na e bënte mirë, të kuptojnë se nëse të jesh trans do të ishte realisht një zgjedhje, ne nuk do ta bënim kurrë.
Dua të theksoj se nuk do të kthehesha kurrë pas dhe jam e lumtur me si jam sot, por në të njëjtën kohë dua të jem e sinqertë kur them se nëse do të kisha mundësi zgjedhjeje nuk de e bëja kurrë, sepse është e dhimbshme dhe një luftë e vazhdueshme kundër botës dhe njerëzve. Në fakt ne vajzat trans e kemi bërë një zgjedhje, kemi zgjedhur të vuajmë dhe të humbim dashurinë e pjesës më të madhe të të afërmve tanë për të qenë ato që ndihemi vërtetë. Ndoshta mund të kishim zgjedhur të mbeteshim meshkuj për të bërë të lumtur ata persona që sot na ofendojnë, e pastaj të ndiheshim keq çdo ditë të jetës sonë sepse do të jetonim në një realitet dhe në një trup që nuk është i joni.
Prandaj duhet të zgjedhim mes dy të këqijave, të ndihemi mirë me veten dhe të përballemi me ligësinë dhe ndjeshmërinë e ulët të botës, apo të bëjmë botën të lumtur dhe të ndihemi vetë keq. Do të doja që ata që lexojnë këtë shkrim t’i bëjnë një pyetje vetes, çfarë të keqeje ju kemi bërë unë dhe vajzat e tjera trans? Çfarë ka tek ne që ju krijon kaq shumë bezdi? Unë jetoj jetën time ashtu si vajzat e tjera trans pa ditur kush jeni ju, si i keni emrat apo ku jetoni, nuk kam ardhur kurrë në shtëpinë tuaj e nuk ju kam bërë kurrë asnjë të keqe, atëherë përse keni kaq shumë urrejtje ndaj meje/nesh?
Mendoj se gjithsecili ka të drejtë të mendojë atë që do dhe nuk jeni të detyruar ta pranoni zgjedhjen tonë, por të paktën duhet të përpiqeni ta mirëkuptoni. Jeta e një transgjinori është një torturë që nga fëmijëria, kur ende nuk e dimë çfarë është seksualiteti, e megjithatë ndjejmë nevojën të luajmë me kukulla apo të vendosim buzëkuqin e mamasë. Kur isha i vogël unë nuk e dija ç’do të thoshte seks dhe nuk e dija kush ishte ndryshimi i vërtetë mes një burri dhe një gruaje, e megjithatë mendoja për veten si të isha vajzë, shikoja mamanë time dhe përfytyroja veten time si ajo.
Babai im ishte burri tipik shqiptar, ai që pështynte, pinte duhan dhe rrihte mamanë time pa asnjë shkak! Ishte një njeri i padobishëm që nuk ka pasur kurrë dëshirë të punojë dhe i kalonte ditët mes pokerit dhe borxheve, ishte një njeri që i pëlqente futbolli e kur luhej ndeshja në televizor nuk duhet të fluturonte as miza. Mua nuk më pëlqente futbolli dhe rrija në kuzhinë me mamanë duke gatuar apo duke larë pjatat e ai më rrihte sepse unë duhet të rrija më të e të shihja futboll me atë që gogësinte e i vinin këmbët erë. Sepse ky është burri i vërtetë apo jo?
Prandaj askush nuk mund të thotë se u bëra kështu nga mungesa e një figure mashkullore, sepse mendoj se nuk mund të gjesh asgjë më mashkullore se im atë. Më pas vjen adoleshenca me hormonet që çmenden, menjëherë kuptoj se isha mashkull e se kishte diçka që nuk shkonte me mua, isha në Shqipëri dhe nuk kisha shumë miq meshkuj sepse nuk më pëlqente të rrija me ta, ndërsa vajzat ishin në atë fazë kur filluan të ndjeheshin femra e të kërkonin djemtë për eksperiencat e tyre të para, ndaj nuk donin të luanin me mua.
Nuk kisha asnjë person me të cilin të flisja hapur prandaj gjithnjë e më shumë po mbyllesha në një botë imagjinare. Fillova të mos flisja më, nuk e dija ende se me pëlqenin djemtë edhe pse që atëherë e dija se nuk kisha asnjë interes drejt vajzave. Pastaj erdhën eksperiencat e para me komshiun tim, fillimisht si lojë por më pas filluam të takoheshim përditë për të bërë “ato gjërat”. Në vitin 1999 isha 12 vjeç, erdhëm në Itali, unë mamaja ime dhe motra, sepse babai kishte ikur vite më parë për të punuar jashtë e na kishte braktisur të gjithëve, përfshirë mamanë, një vajzë 27 vjeçare që kujdesej për ne e vetme. Kur erdhëm në Itali, pak prej gjuhës e pak sepse po jetoja në një vend të huaj fillova të heq mënjanë çdo mendim dhe të shtyp atë pjesë timen që donte t’i bërtiste botës se unë isha grua.
U rrita pa miq, jeta ime ishte shkollë – shtëpi, shtëpi – shkollë, pa internet e pa ditur ç’kuptim kishte fjala trans ose se në të vërtetë një burrë mund të bëhej grua. Në moshën 18 vjeç shkova të jetoj në një tjetër qytet, aty njoha Valerian një transeksuale, megjithëse unë nuk e kisha kuptuar dhe nuk kisha as idenë më të vogël që kjo ishte e mundur. Zbulimi i të vërtetës ishte sikur m’u shemb bota dhe një përzierje emocionesh, zemërimi dhe dëshirash më përshkuan trupin dhe mendjen. Që atëherë, pak me ndihmën e saj edhe unë fillova transformimin tim, duke marrë hormonet e para e duke vënë para mënjanë për të bërë ndërhyrjen në gjoks. Akoma mbaj mend një shprehje të saj “mos e bëj, ne jemi thjesht mish për t’u therur”, isha shumë e vogël dhe e përfshirë nga ëndrrat dhe dëshira për t’u bërë gruaja që gjithmonë kisha dëshiruar e nuk i dhashë peshë fjalëve të saj, edhe pse nuk m’u desh shumë kohë për t’i kuptuar.
Kur më në fund kisha paratë për të bërë operacionin në gjoks, Valeria më ndihmoi t’i tregoja mamasë, ajo nuk ishte dakord e kjo bëri që të largoheshim shumë e unë të ndihesha e braktisur nga i vetmi njeri që më kishte mbetur në botë. U bëra më e fortë për të mposhtur zhgënjimin dhe zemërimin. Mamaja iu tregoi pjesëtarëve të tjerë të familjes, mbaj mend kur një javë përpara operacionit babai më merr në telefon dhe më pyet “çfarë ke vendosur të bësh?”, unë iu përgjigja “Asgjë, pse?”, e ai më tha, “Ke vendosur të mos na shohësh më kurrë e të largohesh nga ne njëherë e përgjithmonë?”. Unë e kuptova që e dinte dhe vazhdova t’ia mohoja, e që nuk do të doja kurrë t’i humbja dhe kjo ishte e vërtetë.
Që atëherë kanë kaluar thuajse 10 vjet që nuk kam takuar asnjë të afërm nga familja e babait tim, kjo gjë më dhemb e më bën të vuaj shumë sepse më merr malli për të gjithë. Pasi bëra ndërhyrjen në gjoks, mendoja që si me magji do të dukesha grua në sytë e botës. Por përkundrazi, jeta u kthye në një ferr dhe çdo gjë ndryshoi, por për keq.
I dëgjoj ende brenda kokës time fjalët fyese të njerëzve, e heq ende mbi lëkurë diskriminimin, të qeshurat dhe personat që më tregojnë me gisht si të isha një monstër e cirkut të horroreve. Duke qenë se kam pasur një jetë shumë të vetmuar, për herë të parë u gjenda përballë botës e vetme, pa mamanë time që në atë periudhë do të kishte qenë një mbështetje e madhe për mua dhe do të më kishte bërë të bëja shumë më pak gabime. Kur dilja kisha gjithmonë shpresën se atë natë, atë mëngjes ose atë pasdite në një bar, supermarket apo diskotekë do të gjeja një burrë që do të më donte me të vërtetë, por jo! Shoqëria është një qark i mbyllur, me disa rregulla të bazuara mbi injorancën dhe etiketime si burrë, grua, mama, baba, hetero, gej dhe lesbike.
Nuk mbaron këtu, që kur jam bërë trans kam humbur punën, miqtë, familjen e dashurinë, a nuk mendoni që njerëzit si unë kanë vuajtur mjaftueshëm për të duruar dhe ligësitë tuaja pa asnjë shkak? Në shoqërinë e sotme, falë Zotit disa gjëra po ndryshojnë për shumë pak trans me fat që janë modele, aktore, mësuese apo avokate. Ato kanë pasur fatin të lindin në familje që i kanë pranuar ashtu si ishin dhe i kanë dhënë mundësinë të bëjnë diçka në jetë e të mos prostituohen si 99% e transeve, që për shkak të pamundësisë për t’u punësuar janë të detyruara të ndjekin këtë rrugë. Prandaj po ju pyes edhe një herë, a është e mundur që një kalvar i tillë vuajtjesh të jetë i bazuar në një kapriço apo të jetë thjesht një lojë?
Unë nuk pata fatin të lind në një familje të pasur apo të kem afër prindërit e mi për të më mbështetur, por kam pasur një fat të madh, karakterin tim që më ka lejuar të luftoj gjithmonë. Vetëm kështu kam mundur të ngre zërin e t’i bëj personat që më rrethojnë të kuptojnë se mund të jem një njeri normal. Kam realizuar një konkurs bukurie për komunitetin trans në Itali, kam prezantuar disa mbrëmje televizive, kam bërë disa sfilata mode, kam dhënë intervista për Italinë jugore që është e ngjashme me Shqipërinë e kam pasur kurajën që të jem e dukshme. Shpesh e thuajse gjithmonë tema e transeksualitetit trajtohet gabim nga televizioni, sepse ky i fundit është një makineri grirëse që ka nevojë për gjak që të fitojë audiencë. Do të më pëlqente që dikush t’i jepte vizibilitet dhe zë anës tonë tjetër, dhe ta bënte botën të shihte kush jemi dhe çfarë bëjmë e që askush nuk duhet të ketë frikë, neveri apo turp nga ne, sepse në fund të fundit nuk i bëjmë askujt keq për të merituar një përbuzje të tillë.
Ashtu si kur jemi të vegjël e nuk dimë se zjarri djeg derisa e prekim e digjemi dhe kjo gjë na mbetet në memorie edhe pse ka ndodhur vite më parë gjithmonë do e dimë dhe kujtojmë që zjarri të djeg. E njëjta teori, por e përmbysur vlen për personat që gjykojnë transgjinorët sepse nuk i njohin dhe nuk dinë asgjë për ne. Derisa dikush të na japë zë kjo situatë do të vazhdojë. Në rrethin tim të vogël, unë kam bërë disa luftëra e do të vazhdoj t’i bëj për të kërkuar ndryshimin e opinionit publik mbi transët. Mbase unë nuk do të jem gjallë por gjithsesi do të jem e lumtur sepse të paktën do të kem vdekur duke luftuar për brezat e ardhshëm që nuk do të duhet të vuajnë të këqijat që kam hequr unë. /m.g/. historia ime