Ishte pjesë e Shqipërisë dhe për ‘kuqezinjtë’, kishte refuzuar fillimisht Zvicrën pasi zemra e tij rrihte vetëm për dy ngjyra, të kuqën dhe të zezën. Brahimi nuk kishte më shumë se 18 vite dhe kishte vendosur të shkonte në një kamp në Zvicër për tu provuar për Shqipërinë, por nuk kishte nevojë të provohej fare pasi menjëherë atij iu dha drita e gjelbër për të luajtur me Kombëtaren.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, djaloshi nga Istogu tregon të gjithë prapaskenat rreth largimit të tij nga Shqipëria. Ai u largua nga Shqipëria për të luajtur me Zvicrën dhe u quajt ‘tradhtar’ nga Redi Jupi, njeri që e kërcënoi me varje në sheshin e Tiranës.
“Ishte viti 2011 kur FSHF organizoi një kamp në Zvicër dhe shkova që të provohem që t’i bindi trajnerët për të luajtur me Kombëtaren shqiptare edhe pse Zvicra më kërkonte me ngulm por unë e doja vetëm Shqipërinë. Menjëherë Redi Jupi më ka thënë mua dhe Imran Bunjakut që nuk kemi nevojë të stërvitemi pasi na kanë përcjellë dhe jemi pjesë e Shqipërisë”, shprehet fillimisht Brahimi për Telegrafin.
“Të luaja për Shqipërinë ka qenë ëndërr e imja dhe mu bë realitet. Kam luajtur për Shqipërinë U21 dhe një ndeshje ndaj Iranit me Kombëtaren A. Mezi prisja të më vinte ftesa për të shkuar me qejfin dhe dëshirën më të madhe për të luajtur për vendin tim”.
“Para ndeshjes me Rusinë më erdhi ftesa nga Redi Jupi që të luajmë në Moskë dhe përgjigja ime ishte se duhet të fluturojë një ditë më vonë pasi kishim ndeshje me klubin tim Grasshopper dhe nuk më lejonin. Jupi më tha se atëherë do të duhet ta nxjerrë me para të mija biletën e aeroplanit dhe kjo gjë nuk ishte në rregull dhe nuk pranova”, vijon tutje Brahimi.
“Pas insistimit tim që FSHF të paguaj biletën ashtu ndodhi dhe shkova në Rusi. Në Moskë Jupi më kërkoi paratë e biletës që ka paguar FSHF dhe natyrisht që nuk ia dhashë sepse është detyrë e FSHF-së të paguaj biletat e lojtarëve. Luajtëm ndeshje dhe arritëm një barazim të madh përballë Rusisë 0-0. Kur po kthehesha për në Zvicër ishim katër futbollistë nga Zvicra, ndërsa tre prej tyre fluturuan mua më thanë se nuk kam biletë kthyese për tu rikthyer”.
“Kam telefonuar pa rreshtur Redi Jupin dhe të gjithë në FSHF por askush nuk mu përgjigj. Më malltretuan, më tradhtuan, më lanë të vetëm në një shtet si Rusia dhe u desh të qëndroj një natë në hotel për ta nxjerrë biletën të nesërmen dhe të fluturojë për në Zvicër”, tregon Brahimi i mërzitur për tradhtinë që ia bëri i ashtuquajturi trajner Redi Jupi.
“Me të ardhur në Zvicër kam thënë se nuk do të kthehem më në Shqipëri deri sa të jetë ai njeri aty. Ai më kërcënoi edhe me jetë duke thënë se do të më varte në shesh të Tiranës por nuk do t’i realizohet asnjëherë ajo dëshirë. Jupi nuk mund të bëhet me shqiptar se unë. Një person si ai që e dëmton Shqipërinë duke i larguar talentet me sjelljet e tij të vrazhda nuk është shqiptar dhe nuk ia do të mirën vendit të tij”, shprehet Brahimi për Telegrafin, teksa tregon edhe përvojën e tij me Zvicrën.
“Pas asaj që ndodhi më telefoni trajneri i Zvicrës dhe pranova të luaja për ta pasi ai më dëshironte me çdo kusht. Zvicrës i jam mirënjohës për mundësitë që mi ka dhënë të rritëm, shkollohem dhe të bëhem futbollist profesionist”, thotë Mërgimi, i cili në fund zgjodhi të luaj për vendlindjen e tij Kosovën.
“Jam kontaktuar nga një person i Përfaqësueses së Kosovës që më ka treguar se kanë interes për mua. Pastaj jam takuar me ndihmës trajnerin Muharrem Sahiti dhe nuk më ka dashur të mendohem fare për ta zgjedhur Kosovën”.
“Të luash për vendlindjen tënde është diçka e jashtëzakonshme që nuk përshkruhet me fjalë por vetëm ndjehet. Kam veshur fanella tjera të Kombëtareve dhe klubeve, por fanella e Kosovës peshon shumë, e ndjejë atë fanellë, e dashurojë dhe më motivon jashtëzakonisht shumë. Fanella e Kosovës më bënë të veçantë dhe jam i lumtur që mund të luaj për shtetin tim”, thotë Brahimi që tregon për emocionet që ka pasur në stadiumin e Prishtinës.
“Ka qenë diçka fantastike të luaj para familjarëve të mijë. Të gjithë nga Istogu ishin të pranishëm dhe më dhanë një motiv të jashtëzakonshëm. Ishte e bukur të shënoja para njerëzve të mijë”.
“Shpresojë që viti 2016 do të jetë vit i Kosovës, së pari në pranim në FIFA dhe UEFA, pastaj të marrim pjesë në kualifikime për në Kampionatin Botëror. Uroj që të jetë një vit i jashtëzakonshëm për gjithë shqiptarët”, përfundoi Brahimi për Telegrafin.
Djaloshi nga Istogu e ka filluar karrierën në Grasshopper, për ta veshur gjatë karrierës së tij edhe fanellën e Aarau dhe Wohlen para se të rikthehet këtë edicion përsëri në Grasshopper.