Cristiano Ronaldo ka fituar për herë të tretë në karrierën trofeun e Champions League, pasi Real Madrid mposhti Atletico Madrid me 11-metërsha në “San Siro”. Portugezi, që u shpall golashënuesi më i mirë i këtij edicioni me 16 gola, shënoi penalltinë e pestë për “Los Blancos”, atë që vulosi triumfin, pasi Juanfran gaboi për “Los Colchoneros”. Për herë të 11-të, Real Madrid u shpall kampion i Europës…
“Ky Champions i 11-të është shumë special. E meritojmë ne futbollistët, stafi teknik dhe e meritojnë tifozët që kanë qenë gjithmonë në krahun tonë, – deklaroi Ronaldo. – Kisha një vegim. Unë do të shënoja golin e fitores. Kjo ishte arsyeja përse e godita penalltinë e pestë dhe jo të parën, sipas planit. Ia kërkova trajnerit Zidane dhe ai ishte dakord. Ashtu shkoi, e dija që do të shënoja golin e fitores.”
Në lidhje me Zinedine Zidane, trajneri që udhëhoqi Real Madrid drejt titullin, Ronaldo u shpreh: “Ka bërë një punë fenomenale dhe e meriton këtë triumf sepse është një zotëri i vërtetë. Jam shumë i lumtur për të. “Topi i artë”? Do të vijë natyrshëm. Jam golashënuesi më i mirë i Champions dhe ne e fituam këtë veprimtari që është më e rëndësishme. Edhe në këtë sezon shënova sërish më shumë se 50 gola.”