Disa vatra të mëdha zjarri janë regjistruar në rrethinat e Romës, kryeqytetit italian.
Më e madhja është vatra që ka përfshirë një zonë të pyllëzuar në Aurelia, pranë një kampi veror. Flakët kanë djegur disa kapanonë industrialë brenda të cilëve ndodheshin bombola gazi, të cilat më pas kanë shpërthyer.
Të paktën 35 persona janë intoksikuar nga tymi, të cilët u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu u evakuuan dhe disa familje.
Vatra tjetër e madhe e zjarrit është ende aktive në zonën Kasaloti. Flakët përfshinë dy pallate, një prej të cilëve u dëmtua rëndë.
Sipas ekspertëve zjarret janë ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta që kanë përfshirë Romën në ditët e fundit.
Për shkak të tymit të shkaktuar nga zjarret disa avionë që do të uleshin në Ciampino u ulën në Fiumicino.