Christian Panucci mund të mos jetë më trajner i Kombëtares Shqiptare. Kriza e rezultateve që po përjeton ekipi i Romës, ka rrezikuar seriozisht pozitat e trajnerit Di Francesco. Mediat italiane shkruajnë se Panucci është ndër kandidatët kryesore për të drejtuar skuadrën kryeqytetase.
Vetëm një rezultat pozitiv në Champions League kundër Portos mund “t’ia zgjaste” jetën trajnerit Di Francesco, por edhe kjo përkohësisht. Panucci, duke qenë se ka luajtur për gati një dekadë me Romën, shihet si personi i duhur për të mbajtur të bashkuar skuadrën, duke pasur edhe vlerësimin e tifozerisë.
Gjithsesi, edhe në muajin dhjetor ka pasur zëra për një transferim të mundshëm të Panucci-t në Romë, gjë që u hodh poshtë nga tekniku. Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, i dha besimin trajnerit italian edhe pas zhgënjimit në Ligën e Kombeve./Opinion.al