Kronikë

Rinis çështja në Apel, dosja e Tahirit regjistrohet në GJKKO


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 09:14 - 25/11/21 |
Opi Nion

Dosja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë Jaeld Çela është regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Regjistrimi i dosjes vjen kur vetëm disa ditë më parë Gjykata e Lartë zbardhi vendimin për ish-ministrin dhe ish-zyrtarin.

“Çeshtja në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., është dërguar nga Gjykata e Lartë dhe është regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021 me nr. 47 regjistri themeltar” theksohet në njoftimin e gjykatës.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancën e fundit, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij. Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Por, Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë./Opinion.al

Pas