Një vit më parë ngushëllonte veten në plazh pas shkarkimit nga detyra e trajnerit të Milanit, por koha kalon shpejt dhe Filippo Inzaghi shumë shpejt do të ulet në stolin e një skuadre tjetër. Edhe pse mungon zyrtarizimi, “super-Pipo” do të jetë trajneri i ri i Venezias, skuadër që sezonin tjetër do të luajë në Lega Pro (kategoria e tretë). Skuadra e Venezias, pasi triumfoi në Serinë D, do të luajë një kategori më lart sezonin e ardhshëm dhe kërkon një trajner me emër për t’u ngjitur sa më shpejt në Serinë B. Dhe këtë gjë kërkon ta bëjë me Filippo Inzaghin trajner, ndërkohë që palët kanë rënë dakord.
Inzaghi, fillimisht do të ketë një buxhet të limituar për të ndërtuar skuadrën e tij të re, rreth 7-8 milionë euro, shifër deri diku e pranueshme për një ekip që militon në Lega Pro. Drejtori sportiv i Venezias, Giorgio Perinetti, do të takohet nesër në Coverciano me trajnerin e ardhshëm të skuadrës, Inzaghi, ku dhe do të hidhen firmat. Një rikthim disi i çuditshëm ky për një nga ikonat e Milanit dhe futbollit italian, që ka vendosur ta rinisë aventurën e tij si trajner nga një kampionat i ulët, pas debutimit në Serinë A me kuqezinjtë. Ndoshta përvoja e fituar do ta ndihmojë në misionin e tij te Venezia, për t’u rikthyer më i fortë në futbollin e rëndësishëm.