Kryesore

Rihapja e kazinove/ PD: Rama në ditët e fundit, vendimi për oligarkët


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:58 - 09/09/20 |
Al Do

Pas dy vendimeve të qeverisë për pëcaktimin e zonave ku do të lejohen kazinotë dhe kushtet e licencimit të tyre, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji shkruan në Facebook se ky është një veprim i kryeministrit disa muaj para ikjes nga pushteti. Sipas Salianjit, Rama po i rihap kazinotë me VKM dhe me kushte siç ia kërkojnë oligarkët.

“Me arkën e shtetit bosh dhe i mbytur deri ne grykë nga borxhet, Rama që nuk ka asnje zgjidhje për shqiptarët po zgjidh për vete duke bastisur e gllabëruar kudo vetem pak muaj para rrezimit nga pushteti. Të gjithe e mbajnë mend oshëtimën e propogandës se tij ndërsa e quante kriminale hapjen e Kazinove dhe lojêrave të fatit.  Tani po i rihap me VKM dhe me kushte siç ia kërkojnë oligarkët e kazinove. Edi Rama po shet dhe zbras Shqipërinë për lekë dhe vetëm lekë. Erdhi me masken e rilindasat e po iken me damken e lekistit me ordiner qe ndoshta ka njohur Shqipëria!”, shkruan ai.

Një reagim ka patur edhe nga Shefi i kabinetit të Partisë Demokratike, Dorjan Teliti.

“Plot dy vjet më parë, nga foltorja e Parlamentit të deligjitimuar, KM deklaronte: …kazinotë do të jenë të mundura vetëm për hotelet me 5 yje, ASNJË LËSHIM NË ASNJË HAPËSIRË TJETËR.
Dhe si çdo premtim i Edi Ramës, edhe ky u tret në pluhurin e harresës dhe të interesave të oligarkëve të tij. Sot, dy vjet më vonë, ndonëse në një kohë që BE ka futur Shqipërine në listën gri për pastrimin e parave dhe ka nënvizuar lojrat e fatit si një nga mënyrat se si pastrohen paratë, Rama në nxitim e sipër, në muajt e fundit të qeverisjes së tij agonike, rikthen në lojë kazinotë në zemër të Shqipërisë, në qendrën historike të Tiranës”, shkruan Teliti në Facebook.

“Nuk mendojnë as edhe një sekondë si të ndihmojnë mijëra bizneset që po falimentojnë, apo si të mbështesin sadopak qindra mijëra njerëz që kanë humbur vendin e punës dhe sot vuajnë për bukën e gojës, por çdo gjë në funksion të groposjes së Shqipërisë edhe më shumë në vorbullën e parave të pista, me të njëjtët dhe për të njëjtët që dje u hoqi TVSH-në për jahtet, dhe u uli e qeranë e pronave shtetërore. Deri në ditët e fundit qeveria më e dështuar dhe e korruptuar në rajon e më gjerë, punon për të njëjtët grusht klientësh, por asnjëherë për shqiptarët. Koha t’i japim fund kësaj zhvatjeje të xhepave të njerëzve dhe pasurive publike”, shtoi Teliti./ Opinion.al

Pas