Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme të shumta në Qarkun e Kukësit. Situata më problematike paraqitet në qytetin e Kukësit, ku vërshimi i ujërave ka përmbytur disa segmente rrugore.
Fillimisht, problemet janë evidentuar në hyrje të qytetit, në rrugën e “Prizrenit”, ku mungesa e kanalizimeve ka sjellë grumbullimin e ujit dhe të materialeve inerte, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. E njëjta situatë paraqitet edhe në lagjen e re të qytetit të Kukësit, ku uji ka arritur deri pranë banesave dhe disa familje e kanë të pamundur lëvizjen normale, pasi niveli i ujit ka shkuar deri te portat e shtëpive.
Problem mbeten edhe disa akse nacionale, konkretisht rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kam–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë, Bajram Curri–Valbonë si dhe aksi Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, ku ka prezencë uji dhe dëmtime të pjesshme të rrugës.
Ndërkohë, shumë rrugë rurale në të tre bashkitë e Qarkut të Kukësit janë dëmtuar si pasojë e daljes së përrenjve nga shtrati, duke izoluar përkohësisht disa zona. Autoritetet lokale janë në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve.

















