Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar në të gjithë vendin, ndërsa territori është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.
Sipas njoftimit zyrtar, temperaturat kanë pësuar rritje, duke përmirësuar kushtet e qarkullimit rrugor. Grupet e punës, së bashku me mjetet borëpastruese, kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve apo inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës në akset ku ka pasur nevojë, me qëllim shmangien e ngricave.
ARRSH thekson se qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit.
Megjithatë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

















