Presidenti i Republikës, Bajram Begaj në vizitën zyrtare në Kosovë është pritur edhe nga komandanti i KFOR, Gjeneral Major Ferenc Kajari. Ky i fundit e ka informuar presidentin Begaj mbi situatën e sigurisë në Kosovë e veçanërisht në veri të saj, ndërsa ka vlerësuar profesionalizmin e efektivëve të FA, në misionin e KFOR.
Presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin e pazëvëndësueshëm të NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin.
Po ashtu Begaj është ndalur në Pejë, ku është takuar me efektivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesë e misionit paqeruajtës KFOR.
Teksa vlerësoi kontributin e çdo efektivi të FA, Presidenti kërkoi kujdes në përmbushjen e misionit të tyre. “Rendi kushtetues i Kosovës nuk duhet cënuar”, tha Presidenti Begaj gjatë takimit me efektivët e Forcave të Armatosura./Opinion.al