Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2025–2026, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka njoftuar paraditen e sotme se regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta do të qëndrojnë të hapura në platformën e-Albania deri më 1 shtator.
Ky komunikim vjen si një kujtesë për të respektuar afatin e vendosur dhe për të shmangur vonesat në fillimin e vitit të ri shkollor.
Procesi i regjistrimit online është pjesë e përpjekjeve të MAS për të lehtësuar shërbimet për qytetarët dhe për të siguruar një menaxhim më efikas të të dhënave arsimore.
“Njoftim i rëndësishëm për prindërit. Të dashur prindër! Ju informojmë se regjistrimet për nxënësit në klasat e para dhe të dhjeta do të jenë të hapura në platformën e-Albania deri më 1 Shtator.
Lutemi në mirëkuptimin e në kërkesën për të përfunduar procesin e regjistrimit, përmes e-Albania, të fëmijës/fëmijëve në shkollë, sipas afatit të mësipërm, një proces që merr vetëm pak minuta nga koha e secilit “, ka njoftuar ministrja Ogerta Manastirliu.