Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën e sotme me një reagim në lidhje me procesin e redormës zgjedhore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Presidenti thotë se mesazhi i djeshëm i Bashkimit Europian është i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore.
Po shtu, Meta kujton se 8 qershori po afron dhe se Shqipëria duhet të vijojë në përmbushjen e kushteve për të ecur përpara me procesin e integrimit në BE.
“Mesazhi i djeshëm i Bashkimit Europian është i qartë, zbatimi i kushteve fillon me konsensusin për reformën zgjedhore. 8 qershori po afron! Komisioni Europian mezi po pret të shënojë një lajm pozitiv për Shqipërinë!”-shprehet Meta.
Palët pritet të takohen sërish në orën 11:00 të ditës së sotme për të vijuar diskutimin për arritjen e një marrëveshje për reformën zgjedhore. Mbrëmjen e shkuar ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim theksuan se konsensusi për reformën zgjedhore është një hap i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë./ Opinion.al