Në një kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni Ambasadorëve të Quint-it dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, 43 deputetët e PD të grupimit Bardhi-Berisha, 3 deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputeti i PD Agron Shehaj, i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit të procedojë me ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
47 deputetët e opozitës, të cilët së bashku me 7 deputetët e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrim që kanë caktuar Shpëtim Idrizin si anëtarë të tyre, përbëjnë shumicën absolute të deputetëve të opozitës, kanë theksuar se përveç faktit që Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në një letër të gjatë deputetët e opozitës kanë shpjeguar në detaje sesi puna e Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore u bllokua për rreth 2 vite nga bashkëkryetarët aktual. “Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021”- thuhet në shkresë.
Deputetët nënshkrues shprehen se kanë analizuar situatën që në muajin Shtator 2023 dhe kanë konstatuar se asnjë përfaqësues i mazhorancës dhe opozitës, roli udhëheqës i përket bashkëkryetarëve, nuk kishin kërkuar asnjëherë zyrtarisht mbledhjen e Komisionit, nuk kishin patur asnjë reagim apo nuk kishin nxitur asnjë debat publik mbi këtë çështje, nuk kishin informuar asnjëherë Grupin Parlamentar apo vetë Kuvendin për ekzistencën e ndonjë arsyeje objektive për bllokimin e punës në Komision, si dhe drejtuesi i opozitës në Komision nuk kishte zhvilluar asnjë takim, konsultim apo mbledhje me anëtarët e tjerë të opozitës. “Nga kjo analizë rezultoi e provuar që qartësisht Reforma Zgjedhore po lihej në heshtje, po mbahej qëllimisht e bllokuar, edhe pse koha po kalonte dhe zgjedhjet e ardhshme ishin afër” – shkruajnë deputetët e opozitës.
“Është e drejtë e trupës që ka mandatuar përfaqësuesit që të rishoh rolin e tyre, si dhe t’i mbajë përgjegjës kur cënohen interesat politike apo kur shpërdorohet besimi i dhënë. Në këtë kuptim, koha e mjaftueshme prej 22 muajsh për të ushtruar përgjegjësinë e ngarkuar dhe mungesa e progresit në këtë çështje, e bën të domosdoshëm ndryshimin e përbërjes së Komisionit” – thuhet në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit.
Deputetët evidentojnë se në kuadër edhe të dialogut konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe deputetët e tjerë të opozitës, vendosën të propozojnë ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, duke theksuar për herë të parë zyrtarisht se në rast se 7 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të cilët mungonin në mbledhje (Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Flutura Acka, Kreshnik Çollaku, Lulzim Basha, dhe Orjola Pampuri) shprehin vullnetin të përfaqësohen me një anëtar të zgjedhur prej tyre, atëherë grupi parlamentar shpreh gadishmërinë për të tërhequr një anëtar nga propozimi dhe caktimin e njërit prej kolegëve që mungon në mbledhje si anëtar të Komisionit.
Letra e deputetëve mbyllet me thirrjen drejtuar Kryetares së Kuvendit që t’i përgjigjen thirrjes së partnerëve ndërkombëtar për gjetjen e rrugës së dialogut mes palëve dhe të mbajnë në konsideratë dakordësinë e arritur në Rezolutën e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku theksohet nevoja për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
KËRKESA:
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Në paragrafin 25 të Dokumentit të OSBE-së në Stamboll të vitit 1999, Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së u zotuan “të vepronin menjëherë në zbatim të vlerësimit dhe rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhjet”. Në përmbushje të këtij detyrimi, Shqipëria si shtet pjesëmarrës i OSBE-së ka detyrimin të përmbush Rekomandimet e vëzhguesve të OSBE-ODIHR në të paktën 2 raporte të miratuara për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2023, përfshirë rekomandimet e pareflektuara të raporteve për zgjedhje të mëparshme të përmendura në to.
Në Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 theksohet si Rekomandim Prioritar Nr. 1 se: “Kuadri ligjor ka nevojë për rishikim të mëtejshëm për të adresuar rekomandimet e paadresuara të ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias, si dhe një sërë paqartësish dhe mospërputhjesh. Ndryshimet në ligj duhet të paraprihen nga një proces i hapur dhe gjithëpërfshirës konsultimi, dhe të miratohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.”. Ndërkohë, në Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të vitit 2023 theksohet si Rekomandim Prioritar Nr. 4 se: “Për të garantuar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, të gjitha subjektet vendimmarrëse, duke përfshirë parlamentin, partitë e tij politike dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore, duhet të angazhohen për një reformë zgjedhore kuptimplotë dhe për adresimin e të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it”.
Përveç faktit që në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës, Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër në përputhje me pikën 1 të nenit 132 të Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Kryesisht për këto qëllime, por edhe për të adresuar shqetësimet e evidentuara nga aktorët politik në zgjedhjet pararendëse, sipas traditës tashmë më shumë se 20-vjeçare të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, me vendimin nr. 12/2022, datë 10.02.2022, është vendosur krijimi i një komisioni të posaçëm për shqyrtimin dhe përgatitjen e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore, me afat veprimtarie 6-mujore (përfundonte në 10 Shtator 2022). Në pikën III dhe IV të vendimit të sipërcituar të Kuvendit, me qëllim arritjen e barazisë mazhorancë-opozitë, në funksion të gjithëpërfshirjes, konsensusit dhe proporcionalitetit të peshës politike në Kuvendin e Shqipërisë, specifikohet se: “III. Komisioni i Posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë. Në përbërje të tij do të ketë 18 anëtarë, nga të cilët 9 janë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, 6 përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, 1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim dhe 1 deputet i pavarur. IV. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.”.
Ky vendim i Kuvendit (pikat III dhe IV të tij) është interpretuar dhe zbatuar me vendimmarrje të seancës plenare, përmes vendimit nr. 48, datë 09.06.2022, ku është aplikuar që nga 6 përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 5 prej përfaqësuesve kanë statusin “anëtar (PD)” dhe një prej përfaqësuesve ka statusin “bashkëkryetar (PD)”. Ky vendim është miratuar pasi Kryetarja e Kuvendit është njoftuar përmes shkresës nr. 2107 Prot., datë 07.06.2022 të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me propozimin për 6 përfaqësuesit (1 bashkëkryetar dhe 5 anëtarë) e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Mandati fillestar 6 mujor i veprimtarisë u ezaurua me vetëm një mbledhje inauguruese të Komisionit të Posacëm Parlamentar (17 Qershor 2022), ku u miratua kalendari i punës së Komisionit dhe përgjegjësia e bashkëkryetarëve për të kërkuar asistencë teknike pranë ODIHR. Edhe pse Drejtori i ODIHR u përgjigj pozitivisht për të ofruar asistencën me shkresën e datës 14 Korrik 2022, ku caktonte edhe pikat e kontaktit për ofrimin e asistencës, bashkëkryetarët nuk ndërmorrën asnjë iniciativë për të çuar përpara punën e Komisionit. Në Shtator 2022 Kuvendi me kërkesë të dy bashkëkryetarëve vendosi t’i japë Komisionit të Posaçëm edhe një mandat të ri dhe 6 muaj kohë shtesë për të ushtruar përgjegjësitë e tij. Ky mandat i ri shtesë u ezaurua me vetëm një mbledhje (16 Dhjetor 2022), por pa asnjë veprimtari të Komisionit dhe asnjë produkt. Në Shkurt 2023, Kuvendi i dha një mandat të tretë shtesë me 6 muaj më shumë veprimtarisë së Komisionit, i cili pati fatin e dy mandatëve të tjera, pa asnjë mbledhje dhe pa asnjë produkt.
Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021.
Në 21 Shtator 2023, Kuvendi i dha një mandat të katër shtesë me 6 muaj më shumë veprimtarisë së Komisionit, mandat që nuk u shfrytëzua përsëri nga anëtarët e Komisionit, duke bërë që të kalojnë 4 muaj pa asnjë mbledhje, pa asnjë produkt, pa asnjë punë.
Gjendur: (i) përpara faktit të bllokimit pa asnjë shpjegim zyrtar apo publik të punës së Komisionit të Posaçëm për 18 muaj; dhe (ii) në kushtet kur në Kuvendin e Shqipërisë ishte paraqitur një kërkesë e re nga dy bashkëkryetarët për një mandat të katërt shtesë, ku nuk jepej asnjë sqarim dhe asnjë argument pse periudha e mëparshme 18-mujore nuk kishte mjaftuar apo pse Komisioni nuk kishte zhvilluar asnjë mbledhje gjatë kësaj periudhe 18-mujore; Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në 5 Shtator 2023 e shpalli prioritet realizimin e Reformës Zgjedhore gjatë sesionit që sapo kishte nisur.
Për shkak të shpërdorimit pa asnjë arsye të kohës, si dhe nevojën që ka Shqipëria për një Reformë Zgjedhore kuptimplotë dhe të realizuar në kohë përpara zgjedhjeve të ardhshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike analizoi me përgjegjshmëri situatën, verifikoi nëse përfaqësuesit e mandatuar prej grupit parlamentar kishin patur reagime publike apo zyrtare mbi situatën, nëse kishin kërkuar mbledhjen e Komisionit zyrtarisht apo jo, apo nëse kishin patur arsye objektive për bllokimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar.
Nga analiza rezultoi se asnjë përfaqësues i mazhorancës dhe opozitës (roli udhëheqës i përket bashkëkryetarit) nuk kishte kërkuar asnjëherë zyrtarisht mbledhjen e Komisionit, nuk kishte patur asnjë reagim apo nuk kishte nxitur asnjë debat publik mbi këtë çështje në 18 muaj, nuk kishte informuar asnjëherë Grupin Parlamentar apo vetë Kuvendin për ekzistencën e ndonjë arsyeje objektive për bllokimin e punës në Komision, si dhe drejtuesi i opozitës në Komision nuk kishte zhvilluar asnjë takim, konsultim apo mbledhje me anëtarët e tjerë të opozitës. Nga kjo analizë rezultoi e provuar që qartësisht Reforma Zgjedhore po lihej në heshtje, edhe pse koha po kalonte dhe zgjedhjet e ardhshme ishin afër.
Në këto kushte, duke mos patur mundësi për të mbajtur përgjegjës për dështimin në 18 muaj të Reformës Zgjedhore të gjithë anëtarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, sepse për këtë kërkohej një vullnet i përbashkët mazhorancë-opozitë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të datës 19 Shtator 2023 u vendos të mbahen përgjegjës përfaqësuesit e grupit tonë parlamentar dhe për këtë shkak u vendos ndryshimi i përfaqësimit në këtë komision parlamentar.
Me shkresën nr. 2803 Prot., datë 20.09.2023 të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në përputhje me pikën 1 të nenit 77 të Kushtetutës së Shqipërisë, neneve 24 e 55 të Rregullores së Kuvendit, si dhe pikave III dhe IV të vendimit nr. 12/2022 të Kuvendit të Shqipërisë, u propozua ndryshimi i 6 përfaqësuesve të Grupit Parlamentar të PD në përbërjen e Komisionit të Posaçëm. Propozimi për ndryshimin e përbërjes ndoqi të njëjtën rrugë parlamentare që ishte ndjekur në miratimin e përbërjes ekzistuese.
Në një akt të paprecedent në mbi 20 vite të traditës parlamentare të Komisioneve të Posaçme Parlamentare për Reformën Zgjedhore, propozimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndryshimin e 6 përfaqësuesve të vet në Komision, u votua kundër vetëm me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 12 Tetor 2023 (asnjë deputet i opozitës nuk ka votuar kundër propozimit të Grupit Parlamentar të PD në seancë plenare). Kjo shënoi kështu herën e parë në 33 vite pluralizëm, që mazhoranca tenton të pengojë opozitën të përfaqësohet në Komisionet Parlamentare me deputetët e saj që i zgjedh vetë. Kjo situatë shkaktoi një reagim të fortë të deputetëve të opozitës, që nuk pranojnë që t’i nënshtrohen vullnetit të shumicës në caktimin e përfaqësuesve të opozitës në një Komision Parlamentar, duke sjell një ngërç në punën e Kuvendit dhe në funksionimin normal të tij.
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Përfaqësimi është më së pari akt besimi, i cili i jepet deputetëve që vetë opozita vlerëson se përfaqësojnë më mirë interesat e saj në një Komision. Ndërhyrja brutale e mazhorancës, për të diktuar jashtë vullnetit të shumicës dërrmuese të deputetëve të opozitës se kush i përfaqëson këta të fundit në Komisionet Parlamentare, është një deformim i rëndë i parlamentarizimit dhe një akt i pashembull në historinë e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo zhbën edhe rregullin bazë të funksionimit të një Komisioni të tillë, që është barazia mazhorancë-opozitë në përfaqësim. Nëse njëra palë do t’i diktonte tjetrës, përveç përfaqësuesve të vet, edhe përfaqësuesit kundërshtarë politik, atëherë nocioni barazi në pjesëmarrje do të zhbëhej automatikisht.
Vendimi nr. 12/2022 i Kuvendit të Shqipërisë përcakton qartë se “Vendimmarrja e Komisionit do të synojë konsensusin e gjërë për të gjitha propozimet. Vendimet e Komisionit quhen të miratuara me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, por vetëm kur kanë njëkohësisht konsensusin e të dy bashkëkryetarëve.” Në këtë kuptim, bashkëkryetari dhe e drejta e tij e vetos, sikurse barazia e përfaqësimit mazhorancë-opozitë në Komision, janë mekanizmat që garantojnë gjithëpërfshirjen dhe konsensusin e gjërë në realizimin e rregullave të një gare zgjedhore. Nëse procesi deformohet që në nisje në garancitë që mundësojnë gjithëpërfshirjen dhe konsenusin opozitë-mazhorancë, atëherë edhe produkti nuk do të ishte kuptimplotë apo i qëndrueshëm.
Është e drejtë e trupës që ka mandatuar përfaqësuesit që të rishoh rolin e tyre, si dhe t’i mbajë përgjegjës kur cënohen interesat politike apo kur shpërdorohet besimi i dhënë. Në këtë kuptim, koha e mjaftueshme prej 22 muajsh për të ushtruar përgjegjësinë e ngarkuar dhe mungesa e progresit në këtë çështje, e bën të domosdoshëm ndryshimin e përbërjes së Komisionit. Bllokimi i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar, është evidentuar edhe në Progres-Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të vitit 2023, ku theksohet se: “Pavarësisht krijimit të Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore në Shkurt 2022, nuk u bë asnjë përparim, as në miratimin e ndonjë teksti, as në adresimin e rekomandimeve të qarta të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Kjo kërkon dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët.”.
Për këtë arsye, në kuadër edhe të dialogut konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe deputetët e tjerë të opozitës, në përputhje me pikën 1 të nenit 77 të Kushtetutës së Shqipërisë, neneve 24 e 55 të Rregullores së Kuvendit, si dhe pikave III dhe IV të vendimit nr. 12/2022 të Kuvendit të Shqipërisë, në mbledhjen e datës 19 Janar 2024, vendosën të propozojnë ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, të ngritur me vendimin nr. 12/2022, si më poshtë vijon:
6 përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike :
- Oerd Bylykbashi – Bashkëkryetar (PD);
- Dhurata Çupi – Anëtare (PD);
- Ervin Salianji – Anëtar (PD);
- Lindita Metaliaj – Anëtare (PD);
- Dashnor Sula – Anëtar (PD);
- Tomor Alizoti – Anëtar (PD).
- Eralda Bano – Anëtare Zëvendësuese (PD)
- Asllan Dogjani – Anëtar Zëvendësues (PD)
1 përfaqësues i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim:
- Fatmir Mediu – Anëtar (GP “Aleanca për Ndryshim”)
- Elda Hoti – Anëtare Zëvendësuese (GP “Aleanca për Ndryshim”)
1 përfaqësues i deputetëve të pavarur:
- Petrit Vasili – Anëtar (Deputet i pavarur)
- Erisa Xhixho – Anëtare Zëvendësuese (Deputete e pavarur)
1 përfaqësues i Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Integrim” : Mbetet të konfirmohet nga ana e këtij grupi parlamentar.
Përsa më lart, në përputhje me nenin 24 të Rregullores së Kuvendit, ku specifikohet se: “3. Kuvendi, brenda 2 javëve nga diskutimi në Konferencën e Kryetarëve, përcakton sipas propozimit të Konferencës detyrat, numrin, përbërjen dhe afatin kohor të veprimtarisë së komisionit të posaçëm”, kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, me qëllim propozimin e këtij ndryshimi për votim në seancë plenare.
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Duke vlerësuar të rëndësishëm momentin ku ndodhen zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë, në përgjigje të apelit të partnerëve ndërkombëtarë për gjetjen e rrugës së dialogut mes palëve, si dhe duke mbajtur në konsideratë dakordësinë e arritur në Rezolutën e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku theksohet se: “…është e një rëndësie kryesore që të përfshihen të gjithë zërat nga opozita në procesin e reformës zgjedhore për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse; dhe bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor”, gjejmë rastin të apelojmë për maturi, përgjegjshmëri dhe seriozitet në trajtimin e kësaj kërkese të deputetëve të opozitës, duke i dhënë shansin gjetjes së zgjidhjes për situatën në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo shtimit të ngërçit mes palëve.
KRYETARI
Gazment BARDHI
DEPUTETËT E GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, GRUPIT PARLAMENTAR “ALEANCA PËR NDRYSHIM” DHE DEPUTETË TË TJERË TË OPOZITËS