Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë një konference për mediat pas takimit me Këshillin e Ambasadorëve deklaroi se do të qëndrojë në shesh derisa t’i kthehet popullit e drejta për referendum. Presidenti theksoi se me këtë klasë politike vendi është i pashpresë.
Por çfarë mendojnë analistët për këtë lëvizje të Kreut të Shtetit?
Mustafa Nano: Referendumi nuk zgjidh ndonjë gjë, ne akoma nuk kemi votën e lirë. Unë nuk po kuptoj lidhjen që bën Presidenti me dhjetorin e ‘90 me referendumin. Është në binar anti-kushtetues. Meta është duke menduar që Basha është vetë jashtë loje sa i përket opozitës, ndaj do t’i zërë vendin dhe i bëhet mirë popullit opozitar. Nuk mund të jetë president dhe të bëjë thirrje për armatosjen e popullit.
Robert Rakipllari: Jemi në një situatë kur mazhoranca qeverisëse e ka shkarkuar politikisht presidentin. Mazhoranca e quan armik dhe unë mendoj se në këto kushte, kur kjo mazhorancë i ka marrë të gjitha pushtetet në këtë vend, i vetmi pushtet është presidenca. Në këto kushte, ky nuk është se është më mirë se këta në moral, por është në kufijtë e tij të mbrojtjes politike. Meta nuk është një President, është një president me profil të lartë politik. Atij i lind e drejta që të bëjë dhe mbrojtjen e vetë politike. Referendumi është i pamundur, por është një gjetje e tij./ Opinion.al