Presidenti rus Vladimir Putin mund të njoftojë të premten aneksimin e rajoneve të pushtuara në Ukrainë. Kështu mendon Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe, e cila thotë se ka një mundësi reale që numri një i Kremlinit të lajmerojë një vendim të tillë përshkallëzues, teksa i drejtohet Parlamentit më 30 shtator.
Autoritetet e instaluara nga Moska organizuan referendum në 4 rajonet e pushtuara: Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilat do të përdoren si justifikim për aneksimin e paligjshëm të territoreve.
NDërkohë, Komisioni Zgjedhor filorus ka publikuar rezultatet paraprake të referendumit për aneksim që u zhvillua në 4 rajonet ukrainase që kontrollohen nga ushtria ruse.
Sipas të dhënave, më shumë se 95% e personave pjesëmarrës në votim janë shprehur pro bashkimit me Moskën.
Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar ka bërë me dije se nuk do ta njohë asnjëherë rezultatin e votimit të paligjshëm.
“Udhëheqësit rusë shpresojnë që njoftimi për aneksimin do të shihet si një përligjje e operacionit special dhe do të konsolidojë mbështetjen për konfliktin”, thotë Ministria britanike e Mbrojtjes.
Por, shpresat e tyre mund të minohen nga sprapsjet e fundit në fushëbetejë dhe pakënaqësitë mbi mobilizimin e pjesshëm. E marta është dita e fundit e referendumeve për t’iu bashkuar Rusisë, që janë cilësuar si një mashtrim nga Kievi dhe Perëndimi. Gati 4 milionë njerëz, në një territor me përmasat e Hungarisë, janë thirrur të votojnë lidhur me raportime se zyrtarë zgjedhorë kanë trokitur derë më derë të shoqëruar nga roje të armatosura, për të bindur qytetarët të shkojnë në qendrat e votimit.
Por, ka edhe nga ata që e shohin referendumin si zgjidhje. Një qytetare e Mariupolit shprehet: “Ne të gjithë kemi nevojë për referendumin, në mënyrë që të kemi paqe këtu. Duhet të heqim qafe këtë të keqe që na turpëroi, na vrau, na shkatërroi. Duhet ta dëbojmë të keqen dhe të jetojmë në tokën e çliruar”.
Në prononcime jashtë kamerave, disa qytetarë thonë se rusët po përdorin procesin si pretekst për të konrolluar banesat për burra, që mund t’i mobilizojnë si ushtarë. Sakaq, një gazetar ukrainas denoncon se familja e tij ishte detyruar të votonte me armë në kokë.
Edhe Serbia, e cila ka lidhje të ngushtë me Moskën dhe që është një prej vendeve të pakta europiane që nuk i është bashkuar sanksioneve, njoftoi se nuk do t’i njohë rezultatet e votimit. Por, përballë kundërshtisë ndërkombëtare, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, këmbënguli se votat ishin shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve që jetojnë në këto rajone.