Nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat. Kështu shkruan në një postim në rrejtin social Facebook, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, ku ndër të tjera jep më shumë detaje për këtë recetë dhe risitë e saj.
‘Sot pata kënaqësinë të vizitoj dy farmaci në Tiranë dhe të bashkëbisedoj me farmacistë me përvojë të gjatë të cilët vlerësuan se ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e tyre, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut’, shkruan Koçiu.
Receta e re mjekësore, sipas ministres, përbën një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët.
Risitë
Ky format i standardizuar sjell disa risi:
-Përcaktim i detyrueshëm i diagnozës për të udhëzuar saktë farmacistin.
-Mjekët do të kenë mundësinë te lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet që pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë.
-Emërtim gjenerik, dozë dhe mënyrë përdorimi si elementë të domosdoshëm për të shmangur keqkuptimet.
-Firmë dhe vulë nga farmacisti, si garanci për origjinën dhe sigurinë e trajtimit.