Bota

Raporti: Shtohen regjimet autokrate, dobësohet demokracia



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:45 - 30/11/22 |
Opi Nion

Sipas një organizmi global të themeluar për të nxitur demokracinë në mbarë botën, demokracia anembanë botës po dobësohet sepse njerëzit po humbasin besimin në legjitimitetin e zgjedhjeve dhe po shohin pengim të lirisë së shprehjes.

Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Mbështetje Zgjedhore, apo IDEA Ndërkombëtare, tha në një raport se rënia e demokracisë po ushqehet nga përpjekjet për të vënë në dyshim besimin tek rezultatet e zgjedhjeve, zhgënjimi i përhapur tek të rinjtë mbi partitë politike dhe udhëheqësit e tyre si dhe rritja e ekstremizmit të krahut të djathtë që ka polarizuar politikën.

Organizata me 34 vende anëtare me bazë në Stokholm tha në Raportin e saj vjetor global mbi Gjendjen e Demokracisë se numri i vendeve që lëvizin drejt autoritarizmit është më shumë se dyfishi i atyre që lëvizin drejt demokracisë dhe se regjimet autoritare në mbarë botën kanë thelluar shtypjen e tyre duke shënuar kulmin në vitin 2021.

Autoritarizmi po fiton në vende si Afganistani, Bjellorusia, Kamboxhia dhe Nikaragua.

Raporti 64-faqesh që mat demokracinë në 173 vende, arrin në përfundimin se përparimi në vendet demokratike ka ngecur në pesë vitet e fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i IDEA-s Ndërkombëtare Kevin Kasas-Zamora tha se “është thelbësore për demokracitë të zmbrapsin një përzierje toksike krizash që nga kostoja në rritje e jetesës deri te frika mbi ndryshimet klimatike dhe lufta bërthamore”.

“Nuk ka qene asnjëherë kaq urgjente nevoja që demokracitë të përgjigjen, t’u tregojnë shtetasve të tyre se mund të krijojnë kontrata të reja shoqërore që mund t’i lidhin njerëzit më shumë se sa t’i ndajnë ata” shtoi ai.

Në Evropë, demokracia në 17 vende është gërryer gjatë pesë viteve të fundit”, tha organizata.

Në Azi dhe Paqësor, demokracia po bie ndërsa autoritarizmi po forcohet. Ndonëse mbi gjysma e popullsisë së rajonit jeton në demokraci, pothuajse 85% e saj jeton në vende ku demokracia është e dobët apo e prapambetur. Edhe demokraci të tilla si Australia, Japonia dhe Tajvani po vuajnë “gërryerjen” e demokracisë.

Në Shtetet e Bashkuara, kërcënimet ndaj demokracisë vazhdojnë pas presidencës së Donald Trump, shoqëruar nga paraliza politike e Kongresit dhe dobësimi i të drejtave të vendosura prej një kohe të gjatë.

Bota është në një udhëkryq kritik,” tha IDEA, duke shtuar se “janë duke u bërë përpjekje për të ringjallur demokracinë nëpërmjet mekanizmave të duhur”. Ato përfshijnë reformimin e institucioneve ekzistuese demokratike dhe rimendimin e ‘kontratës sociale’ midis shtetasve dhe qeverisë në një mënyrë që t’u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të popullsisë./ VOA

Pas