Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin e ndërmjetëm me 138 konkluzione, të cilat me shumë gjasë nuk pritet të ndryshojë qëndrimet e tij në mars me ato të shprehura në draftin e ndërmjetëm për amendamentet kushtetuese të paraqitura nga politika shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi. Për këtë arsye duket se i gjithë diskutimi në ditët në vijim mes palëve do të përqendrohet në bazën e 138 rekomandimeve të ekspertëve të Venecias. Në raportin e tij të ndërmjetëm, Komisioni i Venecias shprehet se draft-amendamentet kushtetuese paraqesin një bazë solide për vijimin e mëtejshëm të punës për realizimin e kësaj reforme. Por, nga ana tjetër, ai u sugjeron palëve që amendamentet duhet të thjeshtohen, dhe në disa raste duhen qartësuar më tej. “Qëllimi i amendamenteve është i lavdërueshëm, por skema organizative është e komplikuar dhe reforma ka të ngjarë të çojë në një proces shumë të ndërlikuar vendimmarrës, me shumë organe që kontrollojnë njëra-tjetrën në një sistem të komplikuar kontrolli dhe balance”, thuhet në draftin e Venecias.
Këshilli gjyqësor, larg politikës
Në rekomandimin 54 që trajton nenin 40 të draft-amendimeve kushtetuese, Komisioni i Venecias merret me Këshillin e ri të Lartë Gjyqësor, që do të krijohet nga shkrirja e KLD-së. Komisioni i Venecias vëren se mazhoranca aktuale ka shumicën e nevojshme për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për këtë arsye, komisioni shtron pyetjen nëse në kontekstin aktual politik, procedura e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë të KLD-së siguron përbërjen pluraliste të këshillit. Në këtë moment, Komisioni i Venecias risjell në vëmendje një opinion të tij të mëparshëm, sipas të cilit, “kur kriteri i miratimit me shumicë të cilësuar përfshihet në Kushtetutë me iniciativë të një grupimi politik që e zotëron këtë shumicë, atëherë ky rregull, në vend që të sigurojë pluralizmin dhe shkëputje politike të organit rregullator, në fakt “çimenton” ndikimin e këtij grupi të veçantë brenda organit rregullator dhe mbron këtë ndikim kundër ndryshimit të krahëve politikë në të ardhmen”. Çështja e garantimit të pavarësisë dhe pluralizmit të KLGJ-së mund të trajtohet nga legjislacioni dytësor, i cili duhet të sigurojë se nominimet e kandidatëve janë të lirë, në masën maksimale të mundshme, nga ndikimi politik. Komisioni i Venecias këshillon të shtohen disa kritere për kandidatët për anëtarë të KLGJ-së, me qëllim që aty të zgjidhen individë me një qëndrim të duhur publik dhe me përvojë profesionale.
Problem, ministri i Drejtësisë
Në pikën 62 të rekomandimeve, Komisioni i Venecias thekson se roli i ministrit të Drejtësisë në KLGJ duhet të qartësohet dhe reduktohet. Nëse ministri do të ketë kompetenca për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve, duhet të bëhet e qartë se ai nuk luan asnjë rol të mëtejshëm në mbledhjet e këshillit, në të cilën kjo çështje do të diskutohet, qoftë edhe në cilësinë e vëzhguesit. Në qoftë se ministri inicion procedurë kundër një gjyqtari, ministri nuk duhet të ulet si anëtar ex-officio i Tribunalit Disiplinor, i cili shqyrton sanksionet disiplinore të aplikuara nga këshilli. Komisioni i Venecias vlerëson se prezenca e ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm në Tribunalin Disiplinor është problematike, në qoftë se ai është projektuar të jetë një lloj “gjykatësi” që mbikëqyr organet jogjyqësore. Komisioni i Venecias vlerëson si shumë të papërshtatshme edhe parashikimet që i japim ministrit të Drejtësisë kompetencën për të bërë ankesa ndaj anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së apo për të kryer “inspektime” në lidhje me anëtarët e inspektoratit. Në tërësi, propozohet të rishikohet roli i ministrit të Drejtësisë, në funksion të shmangies së konfliktit të interesit dhe presionit të mundshëm mbi organet e pavarura të sistemit gjyqësor. “Duket shumë e papërshtatshme që ministrit i jepet pushteti për të bërë ankesa kundër dy këshillave, në të cilat ai merr pjesë si vëzhgues. Në mënyrë të ngjashme, ministri i Drejtësisë kryen “inspektime” në lidhje me pjesëtarët e inspektoratit, që gjithashtu duket i papërshtatshëm, duke pasur parasysh se ai/ajo ulet si anëtar pa të drejtë vote në inspektorat, dhe është anëtar votues sipas detyrës zyrtare të Tribunalit Disiplinor, i cili shqyrton rastet disiplinore në lidhje me anëtarët e inspektoratit”, thuhet në pikën 81.
Tribunali Disiplinor
Komisioni i Venecias ka vlerësuar si të papërshtatshme përbërjen e Tribunalit Disiplinor, duke evidentuar që pjesa dërrmuese e anëtarëve të tij janë në konflikt të hapur interesi. Sipas ekspertëve të Venecias, prania e tre anëtarëve të vjetër të gjykatave nuk është domosdoshmërish zgjidhja më e mirë: anëtari më i vjetër mund të jetë i emëruar së fundmi dhe jo domosdoshmërish është më me përvojë. “Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjithashtu do të shqyrtohen nga Tribunali, megjithatë, përfshirja e tyre këtu duket problematike, pasi komisioni ka funksionin e vlerësimit të të gjithë anëtarëve gjyqësorë të Tribunalit. Ndoshta zgjidhje e mundshme do të ishte që të sigurohet që anëtarët e komisionit nuk mund t’i nënshtrohen juridiksionit të Tribunalit deri pasi anëtarët e vetë Tribunalit kanë qenë të vlerësuar nga komisioni”, thuhet në pikën 72 të draftit të Venecias.
Kontrollet shkaktojnë përplasje
Në pikën 65 dhe 66 të draftit të tij, Komisioni i Venecias vëren se amendamentet kushtetuese parashikojnë krijimin e një numri të lartë institucionesh të reja, që kontrollojnë njëra-tjetrën. Kjo skemë e komplikuar institucionale mund të ketë një pasojë të padëshiruar, sepse krijon një klimë mosbesimi ndërinstitucionale, e cila rrezikon vlerësimin publik ndaj gjyqësorit. Përveç kësaj, krijimi i kaq shumë organeve të reja do të kërkojë një rekrutim në masë të profesionistëve ligjorë, ndërkohë që grupi i kandidatëve të mundshëm që posedojnë arsimin e nevojshëm, trajnim, përvojë dhe pavarësi, mund të jetë i kufizuar me të drejtë, në një vend kaq të vogël si Shqipëria. Në këtë kuadër, Komisioni i Venecias i rekomandon legjislatorit shqiptar që të rishikojë/thjeshtojë skemën e propozuar të institucioneve dhe të vendosë nëse numri i organeve që rregullojnë gjyqësorin mund të reduktohet.
Rreziku i korporatës
Në pikën 69 të draftit, Komisioni i Venecias shprehet se krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi komplikon strukturën e sistemit gjyqësor dhe ka për qëllim reduktimin e lirisë së zgjedhjes së organeve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit. Përbërja e këtij trupi duhet të shqyrtohet më nga afër. Në sistemin e propozuar të përbërjes së KED, një trupë e vogël elitë, është vendosur në një pozitë shumë të fuqishme. Shumica e njëmbëdhjetë anëtarëve të saj janë të lidhur ngushtë me gjyqësorin: gjashtë prej tyre përfaqësojnë gjyqësorin, dy të tjerë përfaqësojnë prokurorët, një përfaqëson ekzekutivin (ministri i Drejtësisë) dhe dy të tjerët përfaqësojnë profesionet e tjera juridike (kryetari i Dhomës dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Lartë, i cili zgjidhet nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe nuk është për këtë arsye një gjykatës). Nga njëra anë, përbërja e tillë ka për qëllim mbrojtjen e KED nga ndikimi politik; në të njëjtën kohë, ajo rrit rrezikun e korporatizmit, pasi anëtarët kanë të bëjnë me gjyqësorin janë në shumicë. Megjithatë, fakti që pesë nga anëtarët e KED nuk janë të lidhur drejtpërdrejtë me gjyqtarët, ata mund të sigurojnë një element të kontrollit dhe balancimit në bërjen e emërimeve me kusht që vendimet e rëndësishme brenda KED merren me shumicë të cilësuar, në mënyrë që të sigurojë që “anëtarët gjyqtarë” nuk mund t’i zgjedhin thjesht me votat e tyre, pasi janë anëtarët jogjyqtarë.
Rreziqet nga reforma
Në rekomandimin 98, Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tilla radikale që parashikohet të ndërmerren në kuadër të reformës, si procesi i rivlerësimit, janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shton mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmang vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale dhe, si çdo masë të jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin. Pyetja që shtron Venecia është nëse ky konsensus i gjerë krijon një bazë të mjaftueshme për të nënshtruar të gjithë gjyqtarët (duke përfshirë edhe ata të ndershëm), për të bërë rivlerësimin e tyre, pavarësisht nga rrethanat specifike të secilit gjyqtar individualisht. Kjo është një çështje e domosdoshmërisë politike dhe Komisioni i Venecias thekson se nuk është në gjendje të shprehet për të.
Vërejtjet e Komisionit të Venecias për draftet-amendamentet kushtetuese
E gjithë skema institucionale e organeve të sistemit të drejtësisë duhet të rishikohet dhe thjeshtohet;
Të qartësohet se kush është përgjegjës për të vendosur për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të kenë forcë detyruese të përgjithshme
Gjykata Kushtetuese duhet të ketë kompetencë për të shqyrtuar më së paku procedurën e miratimit të amendamenteve kushtetuese;
Roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rishikohet për të shmangur konfliktin e interesit. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të marrë pjesë në Tribunalin Disiplinor;
Përgjithësisht, rregullimet institucionale duhet të rishikohen me qëllim eliminimin e konfliktit të mundshëm të interesave;
Mungesa e ankimit në një organ gjyqësor kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mund të jetë problematike, sepse të gjitha gjykatat, duke filluar nga Gjykata e Lartë, do t’i nënshtrohet procedurës së verifikimit nga komisioni dhe, mjaft dukshëm, ata nuk mund të jenë gjyqtarë në rastet e tyre;
Komisioni i Venecias vlerëson se struktura e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është e komplikuar dhe duhet të thjeshtohet. Duke pasur parasysh se shumica e tanishme zotëron tri të pestat e votave në Kuvend, do të ishte më e përshtatshme për t’i dhënë fuqinë propozuese një organi të pavarur ose një zyrtari, i cili nuk është në mënyrë të qartë i të njëjtës ngjyrë politike me shumicën e tanishme qeveritare;
Duhet një formë tjetër për të kontrolluar dhe siguruar përgjegjshmërinë e anëtarëve të KPK. Përbërja e Komisioneve të Pavarura të Kualifikimit dhe statusi i anëtarëve të tyre duhet të garantojë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre;
E pazakontë ngritja e një Misioni Ndërkombëtar Monitorimi, i cili varet nga vullneti i organizatave ndërkombëtare dhe jo nga vullneti i organeve demokratike të brendshme. Një zgjidhje e tillë e pazakontë mund të konsiderohet e pranueshme;
Kandidatët ndërkombëtarë mund të propozohen nga një grup i “partnerëve ndërkombëtarë”, koordinuar nga Bashkimi Europian. Mandati i tyre duhet të jetë i njëjtë me mandatin e KPK;
Në rast se të gjithë gjyqtarët, në mënyrë të barabartë i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, nuk përjashtohet mundësia që procedura e rivlerësimit të keqpërdoret në praktikë në funksion të ndikimit te gjyqtarët për çështje të veçanta;
Mungon procedura e emërimit të gjyqtarëve të gjykatave më të ulëta, duke përfshirë edhe gjyqtarët e gjykatave të specializuara. Nuk parashikohet që gjyqtarët mund të shkarkohen vetëm për shkelje të rënda disiplinore. Kjo çështje duhet të sqarohet më tej;
Propozimi për nenin 125 parashikon që anëtarët e zgjedhur për t’u ulur mbi gjykatën “nuk duhet të ketë qenë i përfshirë në forumet drejtuese të partive politike”. Nuk është e qartë se çfarë saktësisht është menduar me këtë shprehje. Formulimi i kësaj dispozite kërkon rishikim për të shmangur paqartësi dhe zbatimin e tepruar të kufizimit;
Komisioni i Venecias konstaton se amendamentet nuk tregojnë qartë se kush vendos mbi masat disiplinore të gjyqtarëve të GjK;
Këshillohet që zgjidhja më e mirë duket të jetë që kompetenca për të vendosur për masat disiplinore të gjyqtarëve të GjK të jetë vetë GjK;
Është e paqartë nëse Shqipëria ka burime të nevojshme njerëzore dhe financiare për të krijuar një gjykatë të re të lartë administrative, përveç gjykatave të specializuara të nivelit më të ulët
Kjo duke pasur parasysh se sistemi i gjykatave administrative të nivelit të ulët disa vjet më parë dhe, përveç kësaj, Parlamenti shqiptar ka përjetuar tashmë vështirësi me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë ekzistuese;
Prokurorët e Strukturës Speciale Antikorrupsion (SPAK) të gëzojnë të paktën të njëjtën status dhe pavarësi, si edhe prokurorët e zakonshëm. Marrëdhënia në mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve specialë kundër korrupsionit, megjithatë, duhet të merren parasysh më tej;
Është e nevojshme që vetë Byroja Kombëtare e Hetimit të mos i nënshtrohet drejtimit të jashtëm dhe roli/kompetencat e saj të jenë të specifikuara shkurtimisht në Kushtetutë;
Neni 54 (që parashikon ndryshimin e nenit 149) merret me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ka disa anomali. Së pari, ekziston një ndalim mbi emërimin e dikujt që ka mbajtur një post politik ose një post në një parti politike gjatë 10 viteve të kaluara. Nuk është e qartë nëse KLP është e detyruar të propozojë më shumë se një kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend;
Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nuk duhet domosdoshmërish të ndërpritet dhe se vijimi i ushtrimit të punës deri në përfundimin e mandatit të tij është e pranueshme. E vlerëson të çuditshëm që të miratohet një parashikim kushtetues që ish-prokurori i përgjithshëm të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit. /gazeta Shqip/