Aktualitet

Çfarë tha Avokati i Shtetit për aferën CEZ-DIA?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 14:45 - 17/12/15 |
b.f

Sipas raportit të përgatitur nga Avokatja e Shtetit në vitin 2013, e gjithë skema e mashtrimit e ngritur nga CEZ, e cila stakimin e transformatorëve e justifikonte si mospagim të faturave të energjisë nga konsumatorët, kishte për qëllim mbledhjen e të ardhurave dhe transferimin e fondeve jashtë territorit të vendit tonë, duke përdorur për këtë qëllim një shoqëri të tretë, e quajtur MERCL Consulting, e cila rezulton se administrohet nga z.Milan Mercl.

Konkretisht, gjatë aktivitetit të saj, Enti Rregullator i Energjisë është vënë në dijeni, nga shoqëria ÇEZ sh.a., të disa kontratave që kjo shoqëri ka realizuar me shoqëri të treta për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të konsumatorëve. Një ndër këto kompani ishte edhe  shoqëria Debt International Advisory Ltd e njohur si DIA, kontratë e lidhur me datë 01.09.2010.

Kjo kontratë kishte për objekt mbledhjen  e detyrimeve të debitorëve që nuk kishin shlyer faturat brenda afatit 90 ditë nga lëshimi i faturës së konsumit të energjisë elektrike. Ndërkohë që afati i kësaj kontrate ishte dy vjeçar.

Pas kontratës së parë, CEZ ka rinovuar kontratën me shoqërinë DIA, për një afat tjetër 2 vjeçar, e lidhur me datë  01.02.2011-2012. Këto akt-marrëveshje sipas raportit të përpiluar nga Avokatja e Shtetit, nuk janë lidhur mbi vend të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, por nga dy administratorët e saj, përkatësisht shtetasit  Josef  Hejsek dhe Ian Ivan. Sipas akt marrëveshjes shpërblimi që DIA do të merrte për shërbimin e kryer ishte 49.9% të borxhit të mbledhur. Sipas kësaj akt-marrëveshjeje CEZ do t’i paguante DIA-s edhe një shumë që mund të shkonte deri në 512.000 euro/muaj, si shpenzime mujore fikse.

Në tetor  të vitit 2011, CEZ zgjidhi kontratën me DIA me argumentimin se nuk është rënë dakord në vendosjen e një targeti të ri për mbledhjen e borxheve. Kjo bëri që DIA, t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit duke kërkuar nga CEZ, tashmë në administrim shtetëror një shpërblim në masën e rreth 108 milion Euro. “Gjatë zbatimit të kësaj aktmarrëveshjeje ,- thotë raporti i Avokates së Shtetit, -CEZ veproi në kundërshtim me kushtet e saj.” Kështu, detyrimi për t’i vënë në dispozicion listën e debitorëve, që nuk kishin shlyer faturat të cilat ishin lëshuar në një afat prej 90 ditësh nga CEZ, i përkiste CEZ.

Ky i fundit nuk i vinte në dispozicion shoqërisë fatuarat e maturuara, por ato që kishin një afat më pak se 90 ditë, fakt ky i pranuar edhe nga vetë DIA. Po ashtu, në tetor 2011, CEZ zgjidhi kontratën me DIA-n, me pretekstin se nuk ishte arritur një marrëveshje për rivlerësimin e targetit të aktmarrëveshjes. Në fakt rezulton se CEZ kërkoi një amendim të marrëveshjes duke kërkuar heqjen nga lista e debitorëve të konsumatorëve familjarë në zonat më me interes dhe duke lënë zonat ku niveli i debive shkonte në masën 83% si dhe heqjen e debitorëve buxhetorë, jobuxhetorë dhe klientët privatë.  Si afat për pranimin e këtyre kushteve ishte caktuar data 20 tetor 2011. Siç pretendon shoqëria DIA, brenda afatit të përcaktuar ata kanë pranuar kushtet e reja të vëna nga CEZ.

Pavarësisht këtij fakti, CEZ me një shkresë të datës 28 tetor 2011 ka zgjidhur kontratën. Pas zgjidhjes së kontratës me DIA, zgjidhje që është bërë me dashje nga administratorët e CEZ, në kundërshtim me kushtet e akt-marrëveshjes, DIA ka kërkuar, në Gjykatën e Arbitrazhit, dëmshpërblim në masën 108.483.739 Euro. Si lidhja e kësaj akt-marrëveshjeje, ashtu edhe zgjidhja e saj është bërë nga dy administratorët e ÇEZ, z.Ian Ivan dhe Josef Hejsek, pa marrë asnjë miratim paraprak nga organet vendmmarrëse të shoqërisë. “Këto veprime, -thuhet në raport,- ne mendojmë se janë bërë me dashje nga shoqëria çeke dhe administratorët çekë duke konsumuar elementët e veprës penale të ”Shpërdorimit të kompetencave”.

KOMENTO (2)

Shkruaj nje koment

Pas