Në emisionin “Opinion” po transmetohet intervista e kryeministrit Edi Rama të bërë disa javë më parë, ku ai ka folur në lidhje me rrugëtimin e tij politikë.
Kreu i qeverisë foli për jetën e tij në politikë, duke thënë se në momentin që zgjedh këtë rrugë, njeriu “sakrifikon” disa nga liritë e tij.
Duke iu referuar kësaj deklarate, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu, i kujtoi kreut të qeverisë foton e shumë viteve më parë, kur në atë u publikua një foto e tij nudo nga plazhi.
Edi Rama: Në momentin kur njeriu angazhohet në politikën e përditshme patjetër që ka marrë përsipër të negociojë edhe dimensionin e lirisë së vet sepse është vetë ky angazhim që të vendos disa kufij që ti duhet t’i mbash parasysh dhe që nuk mundet dot t’i kapërcesh nëse do që t’i qëndrosh këtij angazhimi dhe natyrisht edhe për hir të të tjerëve sepse në momentin që je një individ i lirë në hapësirë, ti nuk i jep llogari askujt as çfarë thua, as çfarë bën, as ku shkon, as si të pëlqen ta bësh plazhin meqë ra fjala.
Blendi Fevziu: Meqë ra fjala si i angazhuar nuk e bën dot atë që bëre në plazh para se të angazhoheshe?
Edi Rama: Atë dhe shumë gjëra të tjera. Kur je dhe një njeri i lidhur në një kontratë me të tjerë sepse ka njerëz që të kanë besuar, të kanë votuar.
Blendi Fevziu: Kjo humbje është e vullnetshme apo e pavullnetshme?
Edi Rama: Je patjetër i vetdijshëm që në momentin që nëse do në atë “kostum” të ri të kesh sukses duhet që të vësh disa kufij përtej të cilave nuk mund të shkosh.
Blendi Fevziu: Çfarë mendon ti që ke humbur nga liria jote me koshiencë për hir të angazhimit politik dhe shërbimit ndaj partisë, qeverisë etj. Kush janë dimensionet që të mungojnë sot si një njeri normal?
Edi Rama: Nuk e perceptoj si humbje për sa kohë e kam zgjedhur lirisht sepse nuk ma ka vënë njeri me detyrim dhe e dyta për sa kohë unë besoj se ajo çka kam dhënë nga vetja për të bërë këtë punë është përkthyer në shumëçka që kam mundur të bëj në interesin e përbashkët dhe për të tjerë.
















